BMW Seria 7
Për BMW duket se ka ardhur koha për të bërë një restyling të Serisë 7. Modeli aktual u prezantua për here të parë në Sallonin e Frankfurtit në 2015 dhe pavarësisht se mbetet një nga ikonat e këtij segmenti, pesha e viteve që kalon së bashku me konkurrencën bëhet presuese (dhe stresuese). Klientela në këtë segment natyrisht është shumë kërkuese dhe Seria 7 ka marrë shpesh kritika për një model që pavarësisht cilësisë dhe teknologjisë, mbetet shumë i ngjashëm me Serinë 5, një version më i aksesueshëm dhe pavarësisht se shumë i suksesshëm, më pak ekskluziv.
Në fotot e marra vjedhurazi dallojmë disa linja të theksuara në pjesën ballore, të cilat duket se janë risi në këtë model. Nga kamuflimet për të maskuar modelin në këtë faze testimesh, duket se në shënjestrën e ndryshimeve është pjesa ballore dhe pjesa anësore e “bishtit”, duke përfshirë edhe maskerinon dhe fenerët. Këto ndryshime janë koherente me ndryshimet që ka vendosur të bëjë BMW, të prezantuara sidomos tek prototipet e fundit: Concept 8 dhe X7 iPerformance.
Pjesa e kofanos së motorit ka ndryshuar dukshëm. Vihen re linja më të pastra dhe fluide duke përfshirë edhe zonën sipër stemës në maskerino. Gjithsesi këto nuk janë ndryshimet përfundimtare pasi kjo mund të jetë edhe një strategji kamuflimi i përkohshëm për të fshehur detajet. Në fakt pjesa e pasme duket sikur nuk është prekur.
Asistenca në guidë mbetet një nga temat kryesore të gjeneratës së ardhshme ku BMW nuk mund të mungojë. Do të jetë interesante të zbulojmë tani çfarë risish do të ketë përsa i përket Adas, sidomos tani që Audi A8 ka hapur rrugën për guidën autonome të nivelit 3, duke vendosur në këtë formë referencën absolute në këtë drejtim.