na ndiq ne

BMW Seria 3, gjenerata Z?

09/10/2026

Një ikonë e viteve ’70
Ka makina që harrohen dhe ka makina që bëhen pjesë e historisë së automobilizmit. BMW Seria 3 është padyshim një model ikonë që ka krijuar shumë të apasionuar rreth vetes ndër vite. Historia e saj fillon në vitin 1975, kur BMW prezantoi gjeneratën e parë Serinë 3 E21.

Formula ishte e thjeshtë, por shumë e suksesshme: një sedan praktik, elegant, por me shpirt sportiv. Një makinë që mund të përdorej çdo ditë, por pa harruar se kishe një BMW. Seria 3 fitoi shumë zemra në pak kohë: deri në vitin 1983 ishin shitur mbi 1.4 milionë ekzemplarë.

Kjo filozofi do të shoqëronte Serinë 3 në gjeneratat që pasuan dhe do ta kthente atë në një nga modelet më të rëndësishme të markës, duke u bërë për dekada një referencë në segmentin e sedanëve premium të përmasave të mesme.
Pesëdhjetë e një vjet më vonë, BMW hap një kapitull të ri me gjeneratën e tetë, të quajtur G50. Këtë herë ndryshimi është i madh.

Më e madhe dhe më futuristike

E ndërtuar në platformën CLAR të evoluar, gjenerata e re është rritur në përmasa. Saktësisht Seria 3 e re është 477 cm e gjatë (gjashtë më shumë se modeli që zëvendëson), 185 cm e gjerë (dy cm më shumë) dhe 146 cm më e lartë (një cm më shumë se modeli paraardhës). Me një centimetër është rritur edhe distanca mes akseve, e cila tani arrin 286 cm.
Edhe pse sipas traditës, Seria 3 e re ruan një pamje dinamike, ky model paraqet linja më të pastra se çdo model tjetër, disi në linjë me motrën e madhe Seria 5, me të cilën ngjan më shumë në profil, por ndryshon në pamjen ballore dhe të pasme. 
Gjurma e rrotave e zgjeruar me 3 cm dhe harqet e mëdha të parafangove e bëjnë makinën të duket më e ulët dhe më e “ngjitur” në asfalt. Profili, ndoshta pjesa më e “goditur”, është i pastër dhe minimalist, pa shumë linja apo reliev, duke ndryshuar një nga tiparet dalluese të design-it BMW në dekadat e mëparshme.

Dorezat e dyerve janë tani rrafsh me karrocerinë, në gjurmët e Serisë 5, por këtu dalin automatikisht me hapjen e makinës. Për ta kompletuar pamjen sportive, BMW ofron disqe me përmasa nga 18” deri në 20”.
Nga këndet e tjera, maskerino, fenerë, dritat e pasme, etj. gjenerata e re ngjan më shumë me sedanin elektrik i3.

Nga brenda full digital
Brenda, lidhja me i3 bëhet edhe më e dukshme. Kruskoti është praktikisht i njëjti koncept me atë të elektrikes, me një ekran qendror me prekje 17.9” të orientuar nga shoferi. Edhe këtu gjejmë sistemin BMW Panoramic Vision, një seri ekranesh të ulëta dhe të vendosura pranë njëri-tjetrit në bazën e xhamit të përparmë, të cilat zëvendësojnë kuadrin tradicional. Një tjetër risi që bie në sy është edhe timoni futuristik me elementët mbështetës në formë kryqi, ku integrohen edhe komandat e funksioneve të ndryshme si multimedia, navigator, etj.

Presim ta shohim nga afër për të kuptuar më mirë se si këto ndryshime kaq të rrënjësishme impaktojnë ergonominë dhe ndjesitë në bord, elementë që më parë kanë qenë pikë e fortë e çdo BMW-je.
Për sa i përket cilësisë, kabina është ndërtuar me kujdes. Janë përdorur kryesisht materiale të buta dhe montimi është në nivelin premium të pritshëm nga BMW.

Motorizime mild hybrid
Në fillim Seria 3 e re do të vijë me motorizime mild hybrid 48 volt. Dy njësitë e para me vëllim 2.000 kubikë, me katër cilindra do të kenë përkatësisht 156 kuaj fuqi për versionin 318i dhe 211 kuaj fuqi për versionin 320i.
Ndërsa versioni sportiv M350 xDrive, do të bazohet në njësinë 3.000 kubikë, me gjashtë cilindra në linjë që zhvillon plot 443 kuaj fuqi. Tërheqja është integrale dhe amortizatorët adaptivë. Sipas BMW, përshpejtimi nga 0 në 100 km/h kërkon vetëm 4.1 sekonda!
Për të ruajtur lidhjen me traditën, M350 xDrive edhe pse me tërheqje 4×4, ofron opsionin Drift Moment, duke lejuar që fuqia të shkojë e gjitha në aksin e pasëm dhe duke dhënë kështu mundësinë e një drifti stil “Fast and Furious”. Kujdes, kjo lejohet vetëm në pistë!
Më tej, do të kemi edhe motorizime të tjera, përfshirë një version plug-in hybrid.

Teknologjia gjithnjë e më e sofistikuar
Seria 3 e re sjell edhe një seri teknologjish të reja për asistencën në guidë, të cilat sipas BMW janë zhvilluar për të dhënë ndihmë, por pa ndërhyrje të panevojshme.
BMW Symbiotic Drive, mban aktiv sistemin e drejtimit gjysmëautonom edhe në raste frenimi, BMW Motorway Assistant, lejon drejtimin “hands-free” (duke hequr duart nga timoni) në autostradë deri në 130 km/h, gjithmonë me kusht që drejtuesi të monitorojë rrugën dhe të jetë gati të ndërhyjë në rast emergjence.
Sistemi mund të kryejë edhe ndryshimin e korsisë, si dhe të menaxhojë manovrat për hyrjen dhe daljen nga degëzimet e autostradës.
Tavani panoramik është i pajisur me Comfort climatic glass, fenerët dhe drita e pasme janë led, BMW Digital Key Plus që të lejon përdorimin edhe nëpërmjet telefonit e shumë opsione të tjera janë konfirmimi se BMW vazhdon të jetë një markë që teknologjinë e ka pikë të fortë.
Ende nuk ka një date zyrtare se kur Seria 3 e re do të vijë në konçesionarin zyrtar Tag Albania, por besojmë se kjo do të jetë midis fundit të 2026 dhe fillimit të 2027.