na ndiq ne

BMW prezanton një “8” speciale

25/06/2020

Individual do të thotë makinë koleksioni

BMW ka disa kohë që kërkon të zërë një vend të veçantë në segmentin premium. Prodhuesi i makinave luksoze nga Bavaria ka në objektiv modele të pasuruara që mund të ngrihen në nivel koleksionistësh. Si bëhet kjo? Programi quhet “Individual” që do të thotë modele të personalizuara në detajet më të imëta me cilësi të kuruar në nivel artizanal.

Ky minisegment është pagëzuar Golden Thunder Edition dhe përfaqësohet në këtë prezantim nga një Seri 8 e veçantë që do të përfshijë të gjitha variantet: Coupé, Gran Coupé dhe Cabriolet. Programi BMW Individual do të krijojë një makinë speciale cilido qoftë versioni (840i, 840d xDrive apo M850i xDrive).

 Seria 8 Golden Thunder Edition fillon joshjen me paketën M të përfshirë dhe dallon menjëherë për sa i përket personalizimeve estetike. Reparti i design-it ka krijuar një variant të veçantë boje të quajtur Sapphire Black ose Frozen Black të kontrastuar hijshëm nga detaje të “arta” (gold) në zonën e parakolpit, pasqyrës, disqeve dhe një bord në zonën e poshtme përgjatë gjithë profilit. Disqet kanë përmasat e bollshme 20″ nën të cilët “fshihen” disqet e mëdhenj të frenave të autoventiluar.

Pamja “total black” është e pranishme edhe brenda ku detajet cilësore përfshijnë veshjet me lëkurën Merino Individual të dallueshme nga teksti “Edition Golden Thunder” të qëndisur në mbështetëset e kokës të sediljeve të para.

Impianti audio për këto versione të rralla do të jetë i furnizuar nga prodhuesi i famshëm anglez Bowers & Wilkins dhe çdo model do të identifikohet nga një “emblemë” e sigluar në kabinë.

Motorët do të jenë të gjithë turbo. Versioni 840i xDrive bazohet në njësinë me 6 cilindra, 3.000 kubikë me 340 kuaj fuqi, Versioni M850i xDrive ka njësinë me 8 cilindra 4.400 kubikë me 530 kuaj fuqi ndërsa versioni Diesel 840d xDrive përdor motorin me 6 cilindra në linjë, 3.000 kubikë që zhvillon 320 kuaj fuqi. Të themi të drejtën, në këtë version ekskluziv do ta kishim përjashtuar motorin diesel si jo të denjë për nivelin, por ndoshta në Bavari kanë “respektuar” ligjet dhe kërkesat e tregut. Kambio do të jetë automatike për të gjitha versionet, amortizatorët do të jenë me kontroll elektronik që përshtaten me kushtet e rrugës ndërsa rrotat e pasme janë aktive dhe reagojnë ndaj komandës së timonit.

Performanca në këtë segment është kusht dhe jo opsion, por Seria 8 Golden Thunder garanton një sprint 0-100km/h prej 4,9 sekondash për versionin 840i dhe 3,9 sekoda për versionin 850i.

“Muzika” ndryshon ndjeshëm për versionet M8 Coupé dhe Cabrio të cilat kanë njësitë motorike të sedanit sportiv M5. Motori V8 4.400 kubikë zhvillon 600 kuaj fuqi për M8 dhe me ndihmën e dy turbinave, kjo njësi arrin arrin në kuotën 625 kuaj fuqi për versionin M8 Competition.

Shkëputja nga 0-100 km/h në këtë shënon një kohë prej piste: vetëm 3,3 sekonda (3,2 për M8 Competition), Shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 250 km/h, por mund të kërkohet “çlirimi” kundrejt një pagese opsionale për të arritur në kuotën 305 km/h, por me siguri që jashtë Gjermanisë këtë zone të shpejtësimatësit nuk e përdorni dot.