BMW prezanton M5 e re
Një sportive e elektrifikuar, por me muskuj
Diku rreth 40 vjet më parë, saktësisht në vitin 1984, prodhuesi bavarez vendosi që në shasinë e një sedani luksoz, të bënte një seri ndryshimesh dhe ta pajiste atë me një motor sportiv. Kështu Seria 5 E28 u pajis jo me një motor sportiv dosido, por me motorin e sportives M1 duke nxjerrë në dritë M5 e parë, sedanin më të shpejtë në treg, që më tej i hapi rrugën një tradite sportive ndër më të famshmet e industrisë automobilistike.
Tashmë sigla M është zgjeruar dhe ka krijuar një trashëgimi të mirëfilltë, me nje identitet unik, objekt i shumë të apasionuarve dhe koleksionistëve. Edhe pse makinat sportive janë duke jetuar një moment të vështirë historik, mes barrierave të ngritura prej motorizimit elektrik dhe normativave antindotje gjithmonë e më agresive, BMW duket se nuk do t’i zhgënjejë të apasionuarit e shumtë dhe sjell në treg gjeneratën e shtatë të M5, të bazuar në Serinë 5 G90/G99.
Design-i i ri shënon një hap përpara duke kapërcyer linjat klasike BMW për një pamje më të theksuar, sportive e agresive, gati gati jo tipike për segmentin. Pavarësisht se M5 është versioni më ekstrem i Serisë 5, pamja e saj është sa sportive, aq edhe teknologjike. Nga njëra anë gjejmë parafangot dhe parakolpet përpara dhe mbrapa tipike të një makine muskuloze, nga ana tjetër, maskerino, fenerët, dritat e pasme dhe kapaku i prizës së karikimit janë elementë që flasin për një makinë teknologjike dhe moderne, siç është edhe ADN e BMW.
Edhe nga brenda M5 është pasuruar me detaje dhe elementë nga reparti M, me objektivin që ky sedan të jetë një miks elegance dhe sportiviteti. Teknologjia është tashmë ajo e BMW së gjeneratës së fundit, me sistemin operativ BMW 8.5, i cili komandohet me prekje dhe me zë. Kjo makinë vjen e pajisur me klimatizatorin me katër zona, sedilje që ngrohen, ndriçim të brendshëm dhe impiant audio surround nga prodhuesi anglez Bowers & Wilkins.
Por vijmë në thelb: klientela kërkuese e M5 e ka gjithë vëmendjen tek performanca. M5 e re është sportivja e parë e “elektrifikuar”. Motori endotermik është njësia V8 bi-turbo 4.400 kubikë i cili zhvillon 585 kuaj fuqi në regjimin 7.200 xhiro/minutë ndërsa motori elektrik zhvillon 197 kuaj fuqi dhe 280 Nm moment rrotullues. Fuqia totale e kombinuar është 727 kuaj fuqi ndërsa momenti rrotullues arrin vlerën mbresëlënëse prej 1.000 Nm. M5 e re përshpejton nga 0 – 100km/h për vetëm 3.5 sekonda.
Në një përdorim “normal” ose ekologjik M5 e re mund dhe të eci vetëm me bateri e cila ofron një autonomi rreth 70km, në varësi edhe të stilit të guidës.
A ka M5 e re një difekt? Ndoshta, edhe pse jo në qëllimin e projektuesve, rezulton se kombinimi motor termik + bateri, japin një rezultat jo të mirë në peshore. Pesha e saj arrin vlerën 2.435 kg, jo pak edhe nëse flasim për një sedan mbi 5m të gjatë (saktësisht 508cm).
BMW M5 është sedani i parë sportiv i gjeneratës së fundit dhe ne besojmë se kombinimi endotermik dhe elektrik, ose më mirë shtesa e baterisë, do të rëndojë në peshore edhe modelet sportive të prodhuesve të tjerë, por le ta shohim këtë në vijim.
M5 e re mbështetet në mënyrë solide në sistemin e amortizimit multilink me kontroll elektronik ndërsa për të ndihmuar sjelljen dinamike rrotat e pasme janë aktive (kthehen dhe ato në kthesa). Për ta ndaluar “vrapin” e M5 përveç frenave “normale” gjejmë edhe ato në përzierje karbon dhe qeramikë të derivuara nga makinat e garave, por këto të fundit janë opsionale.
Natyrisht fuqia e BMW M5 shkarkohet në asfalt nëpërmjet të katër rrotave me tërheqje integrale X-Drive. Diferenciali është autobllokues me kontroll elektronik, por parashikohet edhe një program guide me vetëm rrotat e pasme aktive dhe sistemi ESP i çaktivizuar, për drifting pa kufi dhe shenja gomash në asfaltin e pistave.
Shpejtësia maksimale e vetëkufizuar sipas traditës gjermane është 250 km/h por me paketën “M Driver’s Package”, mund të “çlirohet” dhe të arrijë në 305 km/h.
Natyrisht M5 e re është e pajisur me shumë sisteme që asistojnë në guidë siç janë ruajtja e korsisë, kontrolli aktiv i shpejtësisë në autostradë me funksionin Stop & Go, Asistenti i parkimit Profesional që lejon lëvizjet e komanduara nga makina ose nga celulari deri në 200 m distancë.
Të themi të drejtën, këtë të fundit mund dhe ta kishin kursyer. Një klient i BMW M5 gjëja e fundit që dëshiron është të mos i jape vetë kesaj makine 🙂