na ndiq ne

BMW prezanton 7-ën e re

18/04/2023

Luksi i ri bazohet në design dhe teknologji

Ishte viti 1977 kur numri 7 debutoi për herë të parë në siglat e modeleve të prodhuesit Bavarez si modeli më i madh dhe më luksoz, i dedikuar një klientele kërkuese nga ana e luksit, por që nuk donte të humbiste kënaqësinë e guidës në një veturë të këtij segmenti.

Me këtë recetë të preferuar nga klientët e BMW-së, ky model ka ecur nëpër një rrugëtim të vendosur duke ardhur kështu (për koinçidencë) në gjeneratën e tij të shtatë. Krahas risive të tjera, ky model do të ofrojë edhe variantet e blinduara për klientelën më kërkuese të globit.

Stili i ri i Serisë 7 ka ngjallur diskutime, siç BMW ka bërë edhe më parë. Fenerët të ndarë në dy nivele, dopio veshka e madhe e zgjatur nga poshtë, profili i lartë në stilin Rolls Royce dhe përmasat, janë disa nga karakteristikat që i japin një identitet të fortë këtij modeli të ri, edhe pse ndoshta për dikë, shkëputet më shumë seç duhet nga modeli paraardhës.

Risia e parë qendron tek përmasat. Seria 7 e re propozohet vetëm në versionin L, 5.39m i gjatë. Dorezat e dyerve janë rrafsh me nivelin e telajos, por elementi historik i BMW i pagëzuar “bërryli i Hofmeister”-it është evident si për të konfirmuar ADN e një BMW-je të vërtetë. Në pjesën e pasme kemi elementë karakterizues si fenerët me efekt 3D, tubat e mëdhenj të shkarkimit për versionet M, por edhe një “fije” led blu që do të dallojë familjen elektrike.

Nga brenda 7-a e re sjell ndoshta edhe më shumë risi. Për të hyrë në kabinë dyert janë automatike: hapen me një buton nga brenda ose me një prekje nga jashtë. Në të ardhmen BMW premton që dyert do të hapen me komanda zanore. Hapësira e brendshme është rikonceptuar totalisht me një design origjinal, esencial dhe teknologjik. Kruskoti ka një stil disi minimalist, por asnjë detaj dhe element nuk i është lënë rastësisë, duke i lënë vendin kryesor teknologjisë. Kjo shprehet qartë në dy ekranët e mëdhenj të kuadrit dixhital dhe atë të infotainment-it.

Quhet Curved Led Display dhe vjen me sistemin operativ 8.0 me teknologji 5G, ku përmasat 12,3” dhe 14,9” garantojnë pasqyrim të plotë të çdo gjëje që ndodh në makinë. BMW Interaction Bar është një tjetër risi absolute. Bëhet fjalë për një shirit të realizuar me motive kristali që rrethon gjithë kruskotin dhe dyert dhe që përveç ndriçimit Led, përmban sipërfaqe që komandohen me prekje. Funksioni MyModes garanton komandimin e çdo elementi personalizimi në bord si psh. pasqyrimi i komandave të klimatizatorit, i cili natyrisht ndryshon ngjyrë në bazë të shijeve të përdoruesit. Këtu përfshihen gjithashtu edhe funksionet e “Personal Assistant” si ndryshimi i ngjyrës apo sinjalizimi i një telefonate në hyrje.
Mqs folëm për përmasat e ekranëve në shërbim të shoferit, ata nuk janë as sa gjysma e Theatre Screen me përmasa 31,3” në shërbim të pasagjerëve që ulen mbrapa dhe që gjatë një udhëtimi mund të shijojnë një film si në kinema. Me risolucion 8K dhe teknologjinë Amazon Fire TV, ky ekran shoqërohet me një sistem audio 4D ofruar nga Bowers & Wilkins me plot 36 altoparlantë. Kuadrin teknologjik e plotësojnë dy ekranet vertikalë me prekje me përmasa 5,5″ të vendosur panelet e brendshëm të dyerve. Në total, e gjithë zona e pasme është më shumë një sallë relaksi, sidomos në versionin Executive Lounge me sediljet e pasme të ndara, të cilat mund të shtrihen dhe janë të veshura me lëkurë origjinale me përbërje kashmiri.
Ky sallon luksoz tërhiqet nga një seri motorizimesh. Prodhuesi Bavarez ka privilegjuar elektrifikimin, por për fat të mirë për tregun shqiptar dhe pjesërisht europian ruan ende edhe diesel-in në listë.
Motorizimi bazë është njësia 3.0 TwinPower Turbo me gjashtë cilindra në linjë, me 286 kuaj fuqi dhe moment rrotullues 425Nm për versionin 735i dhe 380 kuaj fuqi dhe 540 Nm moment rrotullues për versionin 740i. Versioni 760i xDrive bazohet në motorin V8 4.400 kubikë, biturbo dhe  zhvillon 544 kuaj fuqi me moment rrotullues 750 Nm. Për motorizimin me naftë, modeli 740d xDrive bazohet në njësinë 3.000 kubikë me gjashtë cilindra në linjë, me 300 kuaj fuqi dhe 670 Nm moment rrotullues.
Versioni 750e xDrive është një njësi interesante hibride plug-in (me karikim me prizë) që zhvillon 490 kuaj fuqi, ndërsa versioni sportiv M760e xDrive, gjithashtu një hibrid plug-in, vjen me 571 kuaj fuqi dhe 800 Nm moment rrotullues.

Dy njësitë e fundit hibride bazohen në motorizimin benzinë + elektrik dhe përbëhen nga motori 3.000 kubikë me benzinë i “ndihmuar” nga një motor elektrik me 200 kuaj fuqi. Kambio është automatike Steptronic me tetë marsha.

Versioni M760e është versioni më performant. Mjaftojnë vetëm 4.3 sekonda për të shkuar nga 0 – 100km/h ndërsa shpejtësia është e kufizuar në mënyrë elektronike në kuotën 250 km/h (140km/h në ecjen elektrike). Bateria me kapacitet 18,7 kWh mundëson diçka më pak se 90km autonomi me ecjen elektrike, ndoshta jo shumë, por mjaftueshëm për kilometrat e ditës për këdo në Shqipëri. Të mos harrojmë që flasim për një model hibrid, ndërkohë që modelet elektrike premtojnë autonomi deri në 625 km.


Versioni elektrik i7 xDrive60 zhvillon 544 kuaj fuqi nga dy motorë elektrikë. Për të arritur 100 km/h i duhen vetëm 4,7 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është 240 km/h. Bateria ka një kapacitet prej 101,7 kWh dhe mund të karikohet në vetëm 10 minuta për një autonomi prej 170 km (sikur të kishte në Shqipëri karikues me fuqi 195 kW). Autonomia varion midis 590 dhe 625 km. Së ardhmi pritet të debutojë një version edhe më i fuqishëm i7 M70 xDrive me fuqi 660 kuaj fuqi dhe 1.000Nm moment rrotullues. Koha nga 0-100 km/h është më pak se katër sekonda.
Pajisja teknologjike, siç pritet nga një Seri 7, është në nivelet maksimale me sisteme të shumta elektronike për sigurinë dhe guidën si Collision Warning, Crossroads Warning, Parking Assistant me Reversing Assistant, Active Cruise Control me funksion Stop&Go, Speed Limit Assist, Evasion Assistant, Lane Departure Warning, Lane Change Warning, Rear Collision Prevention, Rear Crossing Traffic Warning, Emergency Stop Assistant, Drive Recorder, Park Assistant Plus me pamje 3D, etj etj.