na ndiq ne

BMW M5 CS

05/02/2021

635 kuaj fuqi dhe “vetëm” katër vende

Ndërkohë që modelet SUV me guidën e lartë nga toka vazhdojnë të përpijnë përditë e më shumë segmente dhe klientë, falë zotit disa modele nuk duket se kanë për të ndryshuar ndonjëherë.

Dmth natyrisht përparojnë nga ana teknike dhe performante, por jo në ADN, traditë dhe në qëllimin e tyre për të dhuruar kënaqësi maksimale në timon, duke filluar që nga vendosja e duarve në të. Është ky rasti i një BMW M5 CS të prezantuar pak ditë më parë nga prodhuesi bavarez.

Me debut diku rreth 40 vjet më parë, M5 e parë (E28) erdhi si një model special për klientelën që dëshironin një sedan familjar, por pa hequr dorë nga një makinë performante. M5 e parë kishte një motor 3.500 kubikë, zhvillonte 218 kuaj fuqi, ecte deri në 245 km/h dhe shkonte nga 0-100 km/h për 6.5 sekonda.

Saktësisht 37 vjet më vonë, BMW M5 rinovohet (facelift) për të sjellë risi të shumta, duke përmirësuar mekanikën dhe teknologjinë në favor të guidës. Duke vendosur të hyjmë direkt tek “mishi”, M5 e re CS flet me numrat e saj. Motori 4.400 kubikë me motor V8 dhe dopio turbinë zhvillon 635 kuaj fuqi (10 kuaj më shumë se versioni M5 Performance) ku krahas rritjes së fuqisë shasia lehtësohet me 70 kg më pak. Një nga ndryshimet ka të bëjë edhe me divanin e pasëm që këtu pranon vetëm 2 pasagjerë dhe jo tre. Ky sedan luksoz niset me një vrull 0-100 për vetëm 3 sekonda, 0 – 200km/h për vetëm 10.4 sekonda dhe fluturon deri në 305 km/h, shpejtësi kjo e kufizuar në mënyrë elektronike, pasi V8 nën kofano premton edhe më shumë.

Kambio është automatike e llojit M Steptronic me tetë marsha dhe katër rrota aktive, por me mundësinë e përzgjedhjes me tërheqjen vetëm në aksin e pasëm. Të gjithë të apasionuarit e guidës tradicionale BMW dhe të tërheqjes mbrapa, e kuptuan se kështu mund të ndjejnë atë “grushtin në stomak” që vetëm aksi i pasëm aktiv mund të dhurojë.  

Ky version special ecën mbi rrota me disqe 20” mbështjellë me goma garash Pirelli P Zero Corsa me përmasa 275/35 përpara dhe 285/35 në aksin e pasëm.

Reparti Motorsport ka “vënë dorë” në shumë elementë për të lehtësuar sa më shumë sedanin që pavarësisht të gjithave ruan një luks të nivelit të lartë dhe në kabinë do të gjejmë sediljet veshura me lëkurë Merino, qepje me kontrast (fije e kuqe në lëkurë të zezë) dhe logon M5 të ndriçuar në mbështetëset e kokës në sediljet e para.

Ndoshta çmimi nuk është informacioni më i rëndësishëm për këtë model special, por për më kureshtarët, 200.000euro do të mjaftonin. Nëse vërtet ju intereson, duhet të nxitoni sepse prodhimi nuk është i pafundëm 🙂