na ndiq ne

(BMW) Alpina D3 S

11/05/2020

Një turbodiesel me muskuj të vërtetë

Kush është Alpina? Për të gjithë ata që nuk e njohin këtë emër të veçantë të botës së makinave sportive, pa i rënë gjatë, mund t’i informojmë shkurtimisht që Alpina është një kompani e specializuar në përgatitjen e versioneve speciale të disa prej modeleve më sportive të BMW-së. Ky bashkëpunim është i gjatë në kohë dhe prodhon rreth 1.700 njësi në vit.

Modeli i ri që Alpina ka prodhuar bazohet mbi modelin BMW M340D. Vlerat e deklaruara të këtij modeli me motor 3.000 kubikë me naftë, me gjashtë cilindra në linjë, janë 355 kuaj fuqi në regjimin 4.200 xhiro/min, një moment rrotullues 730 Nm duke filluar nga 1.750 xhiro/min dhe një kohë 0-100km/h prej makine sportive: vetëm 4.6 sekonda. Shpejtësia maksimale është 273 km/h. Alpina deklaron për këtë makinë një konsum karburanti prej “varfanjaku” të nivelit 6.4 litra/100 km.

Por Alpina D3 S nuk është thjesht një model i përpunuar. Bagazhi teknologjik i këtij modeli parashikon edhe një sistem hibrid të lehtë (mild hybrid) me bateri 48 volt, i ofruar nga BMW në versionin original M340d, i cili ofron deri në 11 kuaj fuqi shtesë dhe hyn në punë në momentet që kërkohet më shumë fuqi. Gjatë fazave të frenimit, sistemi karikon baterinë 48 volt ndërsa nën shpejtësinë 15km/h motori me naftë fiket për të ulur konsumin e karburantit.

Alpina D3 S është përfshin tërheqjen 4×4 me teknologjinë xDrive, por në këtë rast është përshtatur për një guidë sportive, duke shkarkuar më shumë fuqi në aksin e pasëm. Fanatikët e BMW-së dhe të tërheqjes së pasme do të jenë të lumtur.

Alpina D3 S ofrohet në versionin sedan dhe në atë station wagon, i përshtatshëm për të apasionuarit pas guidës sportive por që nuk duan të heqin dorë nga hapësira në bord. Kështu do të jetë më e thjeshtë të ngarkoni makinën me rraqe dhe ski e të niseni për një fundjavë të bardhë në Kolashin apo Mavrovë.

Alpina ka bërë edhe disa ndërhyrje estetike për ta bërë më të dallueshëm modelin. Shasia është më e ulët, disqet janë gjigandë në përmasat 19” ose 20”, tubat e shkarkimit janë katër dhe maskerino mund të jetë e zezë, përveç versionit normal të kromuar.

Ndërhyrjet estetike kanë përfshirë edhe parakolpet për të theksuar karakterin sportiv. Çmimet e deklaruara për tregun gjerman fillojnë nga 70.500eur ndërsa për pjesën tjetër të Europës përfshirë vendin tonë duhet ende të deklarohen. Me siguri konçesonari zyrtar BMW, Tag Albania do të na informojë në kohë.