na ndiq ne

BMW 430 XDrive

06/11/2021

Coupé apo specie e rrallë?

Modelet Coupé nga Bavaria kanë zënë gjithmonë një vend të veçantë në buqetën e sedanëve me dy dyer. Logjikshëm spikasnin këtu versioni sportiv M3, një ikonë sportive me katër vende, që nga 2014 shoqërohet nga coupé-ja më e madhe M4.

Në vitin 2020, Seria 4 u prezantua me maskerinon e madhe me “dopio veshkën” vertikale më gjigande të aplikuar ndonjëherë. Pavarësisht një lloj rezistence në momentet e para, duket se ky “turi” po zë vendin e tij me autoritet. Tek e fundit, BMW ka një lloj historie në design-et që shkaktojnë reagime në prezantimet e para, që më tej “bëhen” më të bukur me kalimin e muajve dhe viteve dhe sidomos mbeten pastaj modele origjinale dhe historike.

Nuk dimë të themi nqs do të jetë ky rasti i kësaj Serie 4 që kemi në dorë, por me siguri të plotë mund të themi që kjo makinë është më e bukur dhe më autoritare sesa duket në foto apo video. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë: syri ynë percepton qartë çdo hark, çdo reliev dhe çdo linjë dhe sidomos një shprehi të plotë të makinës në çdo kënd.

Në tërësi ka diçka magnetike nga afër kjo Seri 4 Coupé. Në pamjen ballore, maskerino spikat ndoshta edhe në mënyrë të tepruar, por kjo është makina që të pyet me provokim nëse je “trim” sa duhet “për të dalë me të”.

Në krah të maskerinos gjenden dy fenerët e ngushtë dhe teknologjikë, natyrisht në Led (e gjejmë edhe të shkruar fjalën Led në cepin e jashtëm të fenerëve) që kompletojnë një pamje prej felini me sy gjysëm të mbyllur si në momentin që paraprin sulmin.

profil BMW Seria 4 është thjesht vetvetja e përmirësuar, siç i takon një gjenerate të re, por duke ruajtur gjithë trashëgiminë e modeleve të mëparshme.  Perceptohen qartë të gjitha tiparet e saj kyçe, kryesori ndër të gjitha Bërryli i Hofmaister-it, karakteristikë e modeleve bavarezë që prej viteve ’50. Muskujt këtu shpalosen nga parafangot e dukshme edhe pse me forma të buta, nën të cilat strehoen rrotat e mëdha me gomat R19, përpara me seksion 225/40 ndërsa mbrapa 255/35. Zona e pasme është më skulpturorja, me forma dhe sidomos me relieve të theksuara, tipike e modeleve BMW të gjeneratës së fundit.

Përmasat janë prej Coupé-je safì: e gjatë 477 cm, e gjerë 185 cm dhe e lartë vetëm 139 cm. Askush nuk blen një Coupé për hapësirë, por duhet të themi që ulur në sediljen e shoferit, hapësira është e mjaftueshme. Timoni, në dukje i vogël si një Joypad për playstation, ka formë harmonike, veshur me lëkurë cilësore. Komandat në timon janë vendosur mirë, kapen kollaj dhe gishtat mësohen shpejt, duke i gjetur kollaj edhe pa hequr syte nga rruga, sapo mësohesh pak (me komandat kryesore).

Versioni i provës, 430d Xdrive, ka motorin tradicional BMW me gjashtë cilindra në linjë, të vendosur në mënyrë gjatësore, i cili në këtë rast është i mbështetur nga teknologjia mild hybrid. Në “dëftesë” gjejmë këta numra: 286 kuaj fuqi, moment rrotullues 650 Nm që në 1.500 xhiro/min që përkthehet në vlera të rëndësishme performance. Shpejtësia maksimale është 250 km/h, 5.1 sekonda për 0 – 100km/h dhe akoma më ngacmues është konsumi: vetëm 5.2 litra/100km në ciklin mesatar. Ok atëherë, le të nisemi.

Që në metrat e parë kjo Seri 4 e re të transmeton një ndjesi komande të plotë të saj. Timoni i vogël e kontrollon mirë “gjallesën” që po ngasim. Makina është e ngurtë në rrugë, gropat e asfaltit të rrugës dytësore që gjarpëron krah autostradës ndihen paksa, por në qetësi të plotë, me një ndjesi “pambuku të ngjeshur”. Ecja në shpetësitë sipas tabelës dhe trafikut është gati – gati e mërzitshme. Ndërkohë që kalojmë në autostradë, përzgjedhim programin e guidës Sport i cili shoqërohet nga grafika “e zjarrtë” ngjyrë e kuqe në portokalli. Makina “shtrëngohet” ndjeshëm. Ndërkohë që shkelim pak pedalin e gazit, Seria 4 lëshohet e papërmbajtur me shigjetën që tregon shpejtësi të cilën syri ynë nuk e percepton, por kodi rrugor na fton të përmbahemi. Mjafton të themi që me 100km/h kjo Seri 4 është gati – gati e fjetur dhe ecën me një fije gaz. Meritë këtu ka natyrisht edhe kambio automatike me tetë marsha, efikase në çdo moment.

Reagimi është i shpejtë dhe i saktë në çdo shkelje pedali. Parakalimi është një punë e thjeshtë që kërkon vetëm kontrollin e rrugës dhe të pasqyrës, makina më tej nuk të zhgënjen kurrë në përgjigje. Dy reagime të forta na bëjnë përshtypje. Së pari pedali i frenave që kërkon njëfarë kohe të mësohesh me të. Sapo e përkëdhel, Seria 4 gozhdohet, … shumë i fortë ndoshta? Menjëherë pas kësaj, një forcë na pengon të ndërrojmë korsinë. Çfarë ka? Ah po, sistemi i ruajtes së korsisë nuk na lejon, korsia nuk duhet ndërruar pa ndezur sinjalin. Pardon zonja Coupè, nuk do ta përsërisim më gabimin. Në pamje të parë këto sisteme të asistencës në guidë na duken disi të forta në rrugët tona që kanë kufij shpejtësie të ulët, por kjo bishëz është projektuar që të ecë me 200km/h e sipër. Në ato shpejtësi duhet vërtet një sistem frenimi në gjendje ta gozhdojë makinën pa hezitim dhe një sistem që të ruan korsinë me bindje nga çdo manovër e pamenduar dhe e pasinjalizuar.

Ndjesia e guidës është ajo e një makine të mirëekulibruar me plot fuqi, frenim të fortë dhe një “handling” natyral, siç do të thoshte një tifoz i BMW-së. Mungesa e kthesave të autostradës bëhet e mërzitshme kështu që dalim sërish. Megjithëse kthesat e rrugës së Rinasit janë të ngushta dhe të ngadalta, reagimi është i gjallë dhe i gatshëm në çdo komandë gazi apo frenash.

Nëse 286 kuaj fuqi nuk janë më një numër mbresëlënës, 650 Nm është diçka që ndihet bindshëm në çdo shkelje pedali. Në dalje nga kthesa sikur ndjen motorin gjatësor që kryen edhe një funksion të shtyllës kurrizore të makinës. Ndjesia që të nxjerr mallin e ADN-së BMW është ajo e ngacmimit që të vjen nga shtytja mbrapa. Po, kjo BMW është Xdrive me katër rrota aktive, por inteligjente. Në momente guide normale, fuqia shkon më shumë në aksin e pasëm, për të dhënë emocionin (e premtuar) dhe kalon në aksin e parë në rast nevoje. Mund ta pohojmë që guida e pasme ndihet, jo agresive, që të kesh ndjesinë e humbjes së kontrollit, por e gjallë. Punë e paqme nga çunat e projektimit!

Në rrugën tonë drejt kthimit, kapim pak trafik, i panevojshëm, por që e shfrytëzojmë për t’i hedhur një sy ergonomisë së komandave dhe sistemit infotainment. Çdo gjë është tipike BMW. Sistemi iDrive është ai i gjeneratës së fundit. Funksionet janë të shumta dhe duan kohën e tyre për një përdorim të plotë, por komandat, përfshirë ato të timonit janë intuitive.

Me siguri do të donim që kjo xhiro të vazhdonte më shumë, ndoshta në rrugën e vjetër të Elbasanit, në kthesat e Qafë Thanës apo ndoshta edhe ato të Llogarasë. Me dëshirën dhe një gjysëm premtimi që këtë eksperiencë duhet ta përsërisim, braktisim timonin me të cilin tashmë u “miqësuam”. Duke i hedhur një sy të fundit sërish maskerinos, tani sikur nuk na duket më aq e madhe dhe as agresive. Në fund të fundit pasqyron atë që kjo Seri 4 na dëshmoi: fuqi, kontroll dhe në vendin dhe momentin e duhur edhe emocion. A nuk është ky qëllimi i një modeli Coupè?