na ndiq ne

Audi Q5 Sportback

05/10/2020

Bëhet Coupé për më shumë sport

Gërshtimi i një modeli Suv me konceptin e një Coupé-je është një objekt debati midis “kritikëve” që mendojnë se është një lloj paradoksi (përfshirë atë që shkruan këto rreshta) dhe atyre që mendojnë që guida e “lartë” është e ardhmja dhe duhet eksploruar në të gjitha format.

Një gjykim final do të ishte i pamundur për çdo lloj jurie dhe nëse ka një gjë që kemi mësuar që në kohët e Romës së lashtë, është që shijet estetike nuk vihen në diskutim. Me fjalë të tjera, duke qenë se këtë segment tregu vazhdon ta pëlqejë, rritet edhe oferta e çdo prodhuesi me modele të reja.
Në rastin konkret, ai që i përgjigjet “apelit” është prodhuesi nga Ingolstad, që pas modeleve e-Tron dhe Q3 Sportback, prezanton modelin Q5 Sportback.

Audi Q5 Sportback quan të paprekura përmasat me 469cm gjatësi, 189 cm gjerësi dhe 166 cm lartësi, por ndryshon karakterin me design-in karakteristik Sportback, që në Audi identifikojnë modelet me një charm të veçantë, me një linjë disi retrò dhe me opsionet Top.

Nga brenda design-i nuk ndryshon, që do të thotë se nuk ndryshon as hapësira dhe ergonomia, por rinovohet me sistemin e ri multimedial MIB 3, me ndërlidhje interneti që merr komandat nga ekrani Led në qendër të kruskotit.
Risia që mund të veçojmë në këtë sistem është ndërlidhja Car-to-X (Makina me botën) dhe ku makina mund të marrë informacione në kohë reale rreth trafikut, semaforëve etj ku makina të sugjeron shpejtësinë që duhet mbajtur për të kapur jeshil semaforin e ardhshëm. Se kur do të funksionojë kjo gjë në Shqipëri ama, asnjë në Audi nuk din ta thotë 🙂

Siç mund të imagjinohet lehtë, ajo pjesë që penalizohet (shumë pak në fakt) nga design i ri është bagazhi. Kapaciteti i Audi-t Q5 Sportback ruan gjithsesi në fakt një vëllim të respektueshëm në kuotën 510 litra në gjendje normale për të arritur në 1.480 litra me sediljen e pasme të palosur.
Audi Q5 Sportback prezantohet në versionin 40 TDI e pajisur me motorin e ri turbodiesel me 4 cilindra, 2.000 kubikë në gjendje të zhvillojë 204 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues prej 400 Nm.

Pavarësisht famës së keqe të motorëve me naftë, kjo njësi është në gjendje të respektojë normativën antindotje Euro 6d. Kjo është e mundur edhe falë sistemit hibrid të lehtë (mild hybrid) i cili jep një dorë të rëndësishme në drejtim të mjedisit. Në fazat e ecjes për inerci, ky sistem fik motorin për të kursyer karburant dhe për të ulur shkarkimin e gazrave.
Në këtë version, na duket me vend të presim për versionin sportiv SQ5 TDI i cili është i pajisur me motorin 3.000 kubikë TDI V6 me nivele fuqie më të mëdha dhe më të përshtatshme për një Coupé (Suv).