Aston Martin DB11 AMR
Më në fund Aston Martin vendosi të zbulojë modelin AMR, i konsideruar si më agresivi ndër variantet DB11. Pas Aston Martin DB11 Volante (ketu artikulli), versioni AMR vendos theksin më shumë tek performanca.
DB11 AMR vjen me një motor të ri, fryt i bashkëpunimit me AMG dhe është një ulërimë 5.200 kubikë, V12 që gjeneron 639 Kf në 6.500 xhiro dhe 700 Nm si moment rrotullues, aktiv që në 1.500 xhiro. Kjo “pietancë” e përpunuar me mjeshtëri kombinohet me kambion automatike ZF me tetë marsha.
Aston Martin AMR, i gjithi i përpunuar me kujdes në çdo detaj nga Aston Martin Racing (AMR) është 4.75 metra e gjatë, 1,95 e gjerë dhe e lartë vetëm 1,29 metra. Nga jashtë DB11 AMR është paraqet disa detaje të veshura me fije karboni si pjesa e poshtme e parakolpit dhe kapakët e pasqyrave të jashtme.
Në kabinë gjithçka është e veshur me materialin Alcantara dhe lëkurë e qepur me tegela të dukshëm që kontrastojnë me ngjyrën e lëkurës. Ndërsa logon AMR e gjejmë tek mbështetësja e kokës dhe tek pllaka e derës. Brenda nuk mungojnë gjithashtu rifiniturat me fibër karboni.
Sipas asaj që deklaron prodhuesi, kjo makinë është në gjendje të shkojë deri në 334 km/h dhe të kapë 0-100 km/h në vetëm 3,7 sekonda. Përsa i përket anës estetike, përvec larmishmërisë së ngjyrave standarte dhe opsioneve të rifiniturave, modeli DB11 AMR është mund të porositet në tre ngjyra specifike dhe një variant të limituar (rreth 100 ekzemplarë) në Stirling Green. Ky variant i limituar është i pasuruar me detaje ngjyrë Lime si profili i poshtëm i shasisë 360 gradë rreth makinës, shirit mbi kofano dhe pincat e mëdha të frenave që bien në sy nëpërmjet çarjeve të disqeve të mëdhenj të aluminit 20”. Ky silur me rrota mbështetet në goma 255/40 përpara dhe 295/35 mbrapa.
Modeli i serisë është i pajisur me klimatizator automatik me dy zona. Ekranet dixhitale janë dy: ai në vend të kuadrit me përmasa 12,1” dhe ai i komandave, touch screen 8”, që projekton imazhe 360°të sistemit Park Assist. Nga këtu mund të menaxhosh të gjitha funksionet e sistemit infotainment të gjeneratës së re. Ndërlidhja është e plotë duke përfshirë jo vetëm Bluetooth, por edhe paketën integruese për iPod, iPhone dhe navigatorin satelitor.
Modeli është në shitje në Mbretërinë e Bashkuar duke nisur nga 174.995 sterlina, në Shtetet e Bashkuara çmimi nis nga 241.000 dollarë dhe në Gjermani kushton 218.595 euro. Dorëzimet e para tek klientët parashikohet të fillojnë brenda verës.