na ndiq ne

Alfa Romeo Milano?

24/04/2024

Harrojeni këtë emër, tashmë quhet Junior

Nuk ka një fillim të mirë më e vogla e markës italiane nga Lombardia. E menduar fillimisht si një nderim qytetit ku është themeluar Alfa Romeo, Milano do të ishte një përkujtim i këtij fakti.

Kësaj i shtohet edhe efekti evokues që Milano ka në botë si një ndër qytetet kryesore të botës së modës. Për më tepër, ky emër ishte zgjedhur nga fansat e markës në një sondazh që specialistët e marketingut kishin kryer.

Të gjitha këto nuk i mjaftuan ministrit të Sipërmarrjes dhe “Made in Italy” Adolfo Urso, i cili tha se emri Milano nuk i takonte, meqënëse do të prodhohet në Poloni.

Debat i diskutueshëm ky ndërkohë që Ferrari ka një mori modelesh të pagëzuar Roma, Fiorano apo qytete të tjera italiane, ndërkohë që në të kaluarën mjaft prodhues të huaj kanë përdorur emra qytetesh apo lokalitetesh të famshme italiane.

E drejtë apo e gabuar, duket se drejtuesit e kompanisë italiane vendosën të mos zgjaten në polemika dhe të ndryshojnë emrin.

Emri i ri Junior përkon me një model të famshëm të të kaluarës, GT Junior, një Coupé i vitit 1966 me motor 1.300 kubikë, derivuar nga modeli Sprint GT i bazuar në strukturën mekanike të modelit Giulia.

Po si është modeli i ri dhe çfarë synon Alfa Romeo me këtë model? Junior është modeli më i vogël SUV i prodhuesit italian. E gjatë vetëm 417 cm, i shkel syrin një klientele kërkuese. Nga ana e jashtme, si çdo Alfa Romeo, ka një design origjinal dhe pjesën ballore tipike Alfa Romeo, me zemrën trekëndore në qendër të maskerinos. Risi këtu do të jetë mundësia e zgjedhjes së stemës në qendër në dy versione: njëri që përmban elementët e logos Alfa Romeo dhe tjetri me emrin “Alfa Romeo” me gërma dore, si në modelet e prodhuara deri në vitet ’40.

Pavarësisht përmasave, Junior ka një design të kuruar dhe duket si një SUV më i madh seç është në të vërtetë. Risia e dytë është ajo e targës që tashmë gjen vendosje qendrore dhe jo anash maskerinos, si në modelet e mëparshme Alfa.

Pjesa e pasme është punuar në mënyrë të stilizuar në formë zgjatimi me një prerje, në kujtesë të disa modeleve të së kaluarës, Giulia TZ ose edhe AlfaSud, model ky që e kemi patur edhe në rrugët tona në fillimet e viteve ‘90.

Ndërkohë nga brenda Junior është më e ngjashme me modelet e fundit Stelvio dhe Tonale. Në qendër të kruskotit gjejmë një ekran me prekje që është qendra e komandave të shumë funksioneve multimediale dhe të makinës, ku na pëlqen prania e disa butonave fizikë të klimatizatorit dhe disa funksioneve të tjera që janë të arritshme menjëherë, pa u futur nëpër menu të sistemit operativ.

Ka një kurë të nivelit të lartë në detaje, qëndisje sediljesh apo forma dhe ergonomi. Prania e logos Alfa Romeo është masive në vende të ndryshme të kabinës, por gjynah që është zhdukur butoni i ndezjes tek timoni, element karakteristik i disa modeleve të fundit.

Versioni më i shpejtë quhet Veloce dhe ka një motor elektrik me 240 kuaj fuqi i cili shkarkon fuqinë në aksin e parë, i mbështetur në rrota 20” ndërsa versioni tjetër elektrik ofron 156 kuaj fuqi. Junior do të ofrohet gjithashtu edhe me motor me benzinë, 1.200 kubikë në versionin Mild hybrid, i ndihmuar nga një motor i vogël elektrik me 29 kuaj.

Në debut Junior do të ofrohet duke filluar nga 29.900euro për versionin bazë mild hybrid, ndersa versioni elektrik më i lirë do të fillojë nga 41.500euro. Këto janë cmimet zyrtare për tregun italian, ndërkohë që në Shqipëri duhet ende të zyrtarizohen, por presim të jenë pak më të ulët.