na ndiq ne

Toyota Land Cruiser Seria 300

12/06/2021

Modeli i ri është një tank i zhdërvjellët

Çfarë pamjeje mund të ketë një makinë që duhet të jetë e madhe, komode, e zhdërvjellët në terrene të vështira, por edhe teknologjike dhe me stil? Për këtë ndihmon fotogaleria jonë ndërsa për emrin nuk ka asnjë dyshim: Land Cruiser është një ndër emrat e parë që na vjen ndërmend.

Kjo është fryt i një eksperience tashmë shtatëdhjetëvjeçare nën moton “Toyota mund të të çojë në fund të botës dhe të të sjellë mbrapsh shëndoshë e mirë”. Në këto dekada, Land Cruiser ka kaluar stafetën e eksperiencës dhe përmirësimit në thuajse dymbëdhjetë gjenerata dhe mbi 10 milionë njësi të shitura në gjithë botën.

Land Cruiser i ri përfaqëson Serinë 300 në nivel gjeneracional dhe është një model i rinovuar rrënjësisht. E bollshme në përmasa, Seria 300 është e gjatë 4.97 metra, e gjerë 1.98 metra dhe ka një hap midis dy akseve prej 2.98 metrash. Pamja është më agresive se kurrë, e rëndë në hije por moderne në tipare. Maskerino gjigande me elementë të kromuar na kujton disi “maxisuv”- ët amerikanë, kryesisht Cadillac Escalade, por detaje të tjera si fenerët e hollë Led apo dritat e ditës na tregojnë se Land Cruiser i ri është një makinë e epokës që po jetojmë nëtë gjitha detajet. Në profil parafangot gjigande dhe “shkalla” që ndihmon aksesin në bord janë tregues se kjo makinë parashikon ekskursion të madh të amortizatorëve (nëpër pellgje apo malore të pashtruara), gjë që të gjithë të apasionuarit e modelit e kërkojnë si kusht të panegocieshëm.

Nga ana mekanike, Land Cruiser i ri bazohet në një platformë 100% të re të familjes Tnga, në këtë rast specifikisht GA-F, e projektuar për mjetet off-road, të kategorisë “body on frame”, për ato automjete ku telajo dhe shasia janë dy trupa të ndryshëm. Avantazhet e kësaj platforme të re janë të dyfishta, si në guidën jashtë asfaltit, ashtu dhe në ecjen në rrugë urbane apo autostrada. Vlen të përmendet këtu që modeli i ri peshon 200 kg më pak se modeli paraardhës, me ndikime pozitive në guidë dhe konsum.

Në guidën jashtë asfaltit, shasia e re mundëson përmirësimin e këndit të amortizatorëve, që në këtë mënyrë lejojnë artikulim optimal të fuqisë në çdo rrotë si dhe puthitje maksimale të gomës në terren, në çdo situatë.

Tërësisht të rinj motorët që në momentin e prezantimit janë dy, që të dy V6, që të dy bi-turbo. Benzina parashikon njësinë 3.500 kubikë që zhvillon 415 kuaj fuqi dhe 650 Nm moment rrotullues, ndërsa motori Diesel ka një fuqi prej 309 kuaj dhe 750 Nm moment rrotullues. Të dyja këto njësi motorizimi kombinohen me kambion automatike me 10 marsha, në gjendje të ofrojmë gjithmonë regjimin ideal të punimit të motorit, duke ofruar 10% kursim karburanti.

Nga brenda gjejmë padyshim Land Cruiser-in më modern, ergonomik dhe praktik. Teknologjik mjaftueshëm me ekrane led me komandë me prekje edhe për pasagjerët, ku nuk ka nevojë të përmendim praninë e Android Auto dhe Apple CarPlay. Ndryshe nga trendi aktual ama, sipas Toyota-s në bllokun e komandave nuk ka vend për “touch” por gjejmë butona fizikë dhe me përmasa të mëdha. Këtu është menduar për dikë që hipën në makinë pasi ka punuar jashtë në të ftohtë, në terrene malore ku shpesh edhe bora është e bollshme. Në atë moment, ende pa hequr dorezat, ju mund të ndizni makinën, të gradoni kondicionerin apo të rishikoni gradime të ndryshme sipas nevojës.  Më fanatikët e aventurave janë të kënaqur.

Të shumtë janë edhe sistemet dhe risitë që përmirësojnë këtë model të ri Land Cruiser. Multi-Terrain Monitor është sistemi i ri që ofron për shoferin pamjen 360gradë të terrenit poshtë makinës) duke parë edhe përmasat e makinës). Makina ndërkohë përzgjedh automatikisht programin e guidës më të përshtatshëm për atë lloj terreni. Ndërkohë paketa Adas Toyota Safety Sense, përfshin shumë sisteme bashkëkohore si frenimi automatik i emergjencës që dallon këmbësorët dhe çiklistët, cruise control aktiv e shumë sisteme të tjera.

Po mendonit për një ekskursion aventuresk në Theth apo Valbonë? Land Cruiser Seria 300 është gati, – premton Toyota.