na ndiq ne

Hyundai Santa Fe e re

01/03/2018

2018 është me sa duket vit i shumë risive dhe kjo përfshin edhe markën Hyundai. Pas prezantimit të Nexo, pason modeli i ri i Santa Fe-së, tërësisht i rinovuar. Suv-i i ri Korean është rritur në përmasa dhe në teknologji. Saktësisht Santa fe e re është 8cm më e gjatë se modeli paraardhës duke arritur kuotën 477cm në gjatësi, 189cm në gjerësi dhe lartësia 168cm mbetet e pandryshueshme.

Pamja e jashtme është një konfirmim i asaj që kemi parë në modelet e prezantuara më parë Kona dhe Nexo, sidomos pjesa e përparme me maskerino dominante në formë “V” me dritat e ditës në formë “vetullash” sipër fenerëve, vendosur pak më poshtë. Profili është i shënuar nga linja të forta të parafangove në pjesën e fundit gati gati muskuloze. Pjesa e pasme është më tradicionale por fenerët e pasëm me efekte Led i japin një pamje aktuale.

Në përgjithësi design është i kuruar si në të gjitha Hyundai-t e fundit, arsye kjo që ka dhënë një shtysë të rëndësishme në rezultatet e mira për kollosin korean. Në fakt, Santa Fe ka shitur mbi 400.000 njësi dhe nëse mendon se është modeli më i shtrenjtë në Hyundai, kjo shifër ka akoma më shumë vlerë.
Nga brenda Santa Fe e re është më e kuruar në linja dhe forma krahasuar me modelin që zëvendëson. Design-i ka një orientim ergonomik të dukshëm dhe ekrani i madh i infotainment në qendër të kruskotit në stil “tablet” e bën edhe më bashkëkohor. Dyert nga brenda kanë linja të pastra dhe funksionale. Sediljet janë pasuruar me qepje dhe tegela duke pasqyruar një punë të bërë me kujdes për detajet.


“Head up display” (informacionet mund të projektohen në xham) është një element që pasuron ofertën teknologjike.
Motorët do të jenë të gjithë të bazuar në njësitë me katër cilindra, ku versionet me naftë priten të jenë me më shumë interes për tregun shqiptar. Versioni 2.0 diesel do të ofrohet me 150 dhe 180 kuaj fuqi ndërsa versioni 2.2 diesel do të ketë 197 kuaj fuqi dhe 436Nm moment rrotullues. Në listë rezulton edhe një version 2.4 me benzinë i cili zhvillon 185 kuaj fuqi dhe mund të jetë një zgjedhje e mirë për ata që mendojnë një karburant alternativ si gazi LPG, më ekonomik për xhepat dhe më miqësor me mjedisin.


Kambio automatike me tetë marsha është e re “fringo” e projektuar nga vetë Hyundai dhe në disa versione do të ketë edhe levëzat pas timonit për një përdorim “sportiv”. Tërheqja do të jetë në aksin e përparmë ose 4×4 në varësi të versionit të zgjedhur.
Shasia e Santa Fe-së së re është një tjetër risi e cila parashkon shpërndarjen e fuqisë deri në 80% në aksin e pasëm, në varësi të kushteve të terrenit si dhe mundësinë për të bllokuar diferencialin qendror.


Oferta teknologjike është e pasur dhe përfshin sisteme si monitorimin e “zonës së verbër”, korrigjimin e korsisë dhe monitorimin e makinave që ndërpresin drejtimin në të cilin jemi duke ecur. Dy sistemet Safe Exit Assist dhe Rear Occupants Alert konsistojnë i pari në “daljen e sigurtë nga makina” ku nëse makina dallon se një makinë po afrohet, të bllokon ose vonon hapjen e derës dhe i dyti në sinjalizimin të mos harrojmë në sediljen mbrapa femijët ose kashët shtëpiake.
Çmimi në Europë do të fillojë nga 37.000eur ndërsa për Shqipërinë do të zyrtarizohen së shpejti.