Hyundai Nexo
Në konferencën e datës 08 janar në sallonin e autos “Ces” në Las Vegas, Hyundai Motor kishte deklaruar se të gjitha modelet e saj elektrike të bazuara në teknologjinë “Fuel Cell” do të quheshin Nexo. Kështu u bë dhe Nexo e parë do të jetë shpejt e gatshme për publikun.
Nexo është një SUV elektrik inovativ i bazuar në teknologjinë “fuel cell” (bateri me karburant) i cili bazohet në një motor elektrik të “zakonshëm” ku energjia elektrike nuk vjen nga bateri të tipit akumulator, por nga bateri të cilat “konsumojnë” hidrogjen për të prodhuar korent.
Pavarësisht shumë skepticizmave, siç kemi parë edhe nga prodhues të tjerë (psh Toyota) duket se makinat elektrike me hidrogjen po formëzohen si një degë e mundshme e zhvillimit të mobilitetit elektrik.
Nexo është 4.68 metra e gjatë, 1.87 metra e gjerë dhe 1.63 metra e lartë. Pozicionohet kështu në segmentin Suv kompakt, duke i bërë shoqëri motrës me motor tradicional Santa Fe.
Hyundai Nexo duket se do të shënojë një standard të ri teknologjik me risi terheqëse si dorezat e derës që “zhduken”, të ngjashme me atë që kemi parë në modelin luksoz Range Rover Velar. Pamja e jashtme sjell një frymë të re e të përmirësuar. Pjesa ballore është në linjë me stilin e ri të prezantuar më parë me Hyundai Kona, me maskerinon e madhe që ngushtohet në formë V-je dhe me fenerët e ngushtë në formë “vetullash” mbi “sytë” trekëndësh pak më poshtë. Profili paraqitet muskuloz dhe sportiv me brezin e dyerve të lartë që ngrihet gradualisht në pjesën e pasme.
Nga brenda pamja është teknologjike dhe bashkëkohore me dy monitorë Led. Njëri është në shërbim të kuadrit, tashmë dixhital siç dikton dhe moda dhe një tjetër monitor i madh me prekje, i vendosur mbi një bllok komandash horizontal me butona të shumtë mbulon të gjitha funksionet e infotainment.
Motori elektrik ka një fuqi totale prej 180 kuaj fuqi ku 125 kuaj fuqi vijnë nga bateria me hidrogjen dhe 40 kuaj fuqi vijnë nga një bateri tradicionale. Nexo arrin shpejtësinë 180 km/h dhe përshpejton nga 0-100 për 9 sekonda. Autonomia e premtuar është 800 km me një “rimbushje” dhe koha e furnizimit me hidrogjen është rreth 5 minuta.
Risitë janë të shumta në bordin e Nexo-s por ndoshta më e rëndësishmja është që Nexo shërben për Hyundai edhe si platformë zhvillimi e teknologjisë së të ardhmes. Gjigandi korean, ka përgatitur edhe disa ekzemplarë të pajisur me sisteme që mundësojnë guidën autonome të nivelit 4, me fjalë të tjera, në gjendje të ngiten vetë. E gjitha është ende në nivel testimi, por progresi është domethënës. Sistemi bazohet në një numër të madh kamerash dhe radarësh, në gjendje të monitorojnë 360 gradë cfarë ndodh rreth makinës dhe të reagojnë në varësi të asaj që shikojnë. Guida autonome, pa shofer, është e mundur vetëm nëpërmjet një sistemi hartash HD të cilat, së bashku me informacionet që vijnë nga radarët dhe kamerat, përpunohen në një kompjuter të vendosur në bagazh të Nexo-s. Kështu nëpërmjet navigatorit përcaktohet destinacioni i dëshiruar (për momentin në ato zona të përshtatshme për këtë teknologji) dhe më tej shoferi bëhet dëshmitar i një makine që ngitet vetë drejt destinacionit, duke lexuar dhe respektuar tabelat rrugore, duke marrë vetë kthesat, duke ngadalësuar deri në frenim në afërsi të një rrethrrotullimi, etj.
Ky sistem paraqet ende mangësi, disa të përmirësueshme nga Hyundai, disa të tjera të përmirësueshme në nivel global nga të gjithë prodhuesit e makinave dhe jo të gjithë janë duke ecur me të njëjtin hap në këtë drejtim. Kusht i përgjithshëm është krijimi i një sistemi universal ku çdo makinë të “njohë” tjetrën në distancë dhe të dijë të reagojë në varësi të rregullave të kodit rrugor, situatave, etj. Për të kuptuar më mirë këtë, mjafton të bëjmë pyetjen se çfarë bën një Nexo, nëse në një rrethrrotullim, makina që duhet të na japë përparësi, nuk e zbaton këtë.
Nexo vjen në treg brenda vitit 2021, por guida autonome mund të jetë pjesërisht e gatshme vetëm në disa qytete “inteligjente” ndërsa zbatimi në shkallë të gjerë mund të parashikohet për vitin 2030 dhe ne jemi ende shumë skeptikë nëse bota jonë (Shqipëria në veçanti) do të jetë gati për këtë për kaq pak kohë.