na ndiq ne

Xhiro e parë me Range Rover Velar

26/04/2018

Pas një artikulli të parë informues mbi risinë “Velar”, na u duk me vend t’i riktheheshim sërish këtij modeli. Ndodh shpesh të ndryshosh mendje kur makinat i sheh nga afër, por nuk ndodhi kësaj rradhe. Velar përforcon ndjesitë e mira që ngjall modeli në foto. Me këtë model, Land Rover ka arritur të propozojë një SUV me linja Coupé-je, por këtë nuk e bën duke “prerë” bishtin, në stilin e GLC ose GLE apo paraardhësja dhe frymëzuesja e kësaj linje X6 e shoqëruar më pas nga X4. Thjesht Velar është një Suv që krijon emocionin e një makine Coupè, pa kompromise dhe merita për këtë është sekret i repartit kreativ. Jo më kot Velar u shpall Best Design of the Year për vitin 2018.

Velar ka ambicje sportive që shprehen me linja të kuruara dhe një design dinamik, të shkrira në 4.80 metra gjatësi.

Ekzemplari i xhiros së provës sonë ishte një Range Rover Velar D240 R-Dynamic SE. “I veshur” në Kaikoura Stone bën figurën e tij mbi disqet e zeza gjigande 21”, të cilëve do të kemi rast t’i kthehemi sërish më vonë.

Dorezat e dyerve që lëvizin për të mundësuar hapjen e derës bëjnë goxha efekt në kontaktin e drejtpërdrejtë.

Nga brenda Velar është një mix perfekt midis luksit dhe design-it. Cilësia e materialeve në prekje është sipërore. Materialet janë të buta, të punuara me kujdes prej manjaku në detaje dhe në asemblim. Kontrasti i ngjyrave të brendshme e bëjnë ambjentin e brendshëm një dekor kontemporan me elemente unike design-i dhe teknologjie.

Ok, vendosim ta ndezim … shtypim “Start” dhe xhirot e motorit ne kuadër tregojnë se Velar u aktivizua edhe pse motori në kabinë nuk dëgjohet fare. Në vend të levës së kambios gjejmë në “joystick” të cilin e çojmë në D. Me t’i dhënë gaz, turiri i madh fillon të orientohet sipas trajektores që kemi vedosur me timon dhe ne fillojmë të përshkojmë metrat e parë. Velar duket menjëherë sikur kontraston peshën dhe përmasat me një hap prej atleti.

Motori 2.0 turbodiesel, i cili zhvillon 240 kuaj fuqi, është menjëherë i gatshëm dhe të fton të sfidosh idenë se jemi duke ngarë një makinë që i afrohet 5 metrave, për më tepër 4×4. Jemi nisur në fillim me një hap të ngadaltë, si për t’u miqësuar gradualisht, por sapo motori shkon në temperaturën e regjimit 90° këmba e djathtë fillon të kërkojë më shumë. Velar si me një shpalosje krahësh lë pas kthesës të gjithë peshën e tij dhe tregon aftësitë e saj reaktive. Emërtimi Dynamic i shkon vërtet për shtat dhe guida fillon të bëhet menjëherë “gazmore”. 240 kuaj fuqi nuk mund të garantojnë performancë piste prej një Coupé-je me shasi alumini, por Velar është vërtet një kënaqësi në guidë. Meritë në këtë kanë edhe gomat e mëdha në disqe 21”, të cilat ofrojnë mbështetjen e duhur në rrugë duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Nga 0 – 100 km/h arrihen në 7.3 sekonda dhe ky është një rezultat i shkëlqyer: kjo makinë është e gjallë.

Një nga vetitë kryesore që bie në sy menjëherë është komoditeti dhe izolimi perfekt nga ambjenti i jashtëm. Kësaj mund t’i shtojmë hapësirën e bollshme për të gjithë pasagjerët dhe bagazhet dhe të gjitha bashkë e bëjnë këtë makinë një ndër zgjedhjet ideale për të udhëtuar drejt destinacioneve sado të largëta qofshin. Nëse i shtojmë edhe ADN e një Land Rover-i të vërtetë, me cilësi të përshtatshme edhe për ekskursione jashtë asfaltit, Velar duket se bëhet shoku më i mirë për çfarëdo aventure.

Pas disa kilometrash të kryera në kushte qyteti, autostrade dhe një rruge dytësore me jo pak kthesa, patëm mundësi të ndjejmë karakterin dhe sjelljen në rrugë të modelit më të ri nga Land Rover.

Me siguri do t’i rikthehemi sërish Velarit për të bërë një provë më të plotë, por edhe me kaq kuptuam shumë. Nëse kërkoni një makinë komode, të sigurtë, me teknologjinë më të lartë bashkëkohore dhe të mos harrojmë edhe të bukur, atëherë Velar është padyshim modeli i parë ku duhet të drejtoheni. Kësaj i shtojmë edhe ekskluzivitetin e një marke angleze me një vend të veçantë në botën 4×4 dhe faktin që Velar është modeli i fundit i konceptuar nga ata dhe si i tillë ofron fjalën e fundit të çdo elementi të firmosur Range Rover.