na ndiq ne

Volvo V90 AWD

30/07/2017

Volvo është një markë e mirënjohur për tregun shqiptar pavarësisht se preferenca duket të jetë jo shumë e lartë, ndërsa modeli V90 AWD është një model simbol i Volvos për faktin që është modeli top i veturave tradicionale i propozuar këtu në variantin familjar “station wagon”, sektor ku Volvo ka një traditë të gjatë për më shumë se gjysëm shekulli.
Veturat station wagon janë një zgjidhje shumë e mirë për të gjithë ata që janë të interesuar të udhëtojnë komodë në rrugë të gjata dhe të ngarkojnë gjithashtu gjithë bagazhet e nevojshme pa stres.

Dicka e ngjashme ndodh kur V90 është partnere udhëtimi për shumë kilometra, aq sa janë të mjaftueshëm për të vlerësuar cilësinë e jetesës në bord. Në këtë rast, edhe pse kilometrat mund të jenë shumë, nga kjo Volvo zbret i freskët dhe gati gati me dëshirën për t’u nisur sërish.
Duke parë më nga afër karakteristikat e kësaj makine, mund të themi së një meritë të vecantë e kanë sediljet: Volvo di të bëjë sedilje cilësore dhe të rehatshme për të gjitha peshat dhe gjatësitë. Në stilin e sediljeve të avionëve, sediljet e V90 janë të ndërtuara me një material solid i cili lejon që të ketë profil të hollë për të zaptuar sa më pak hapësirë në kabinë. Vendet e pasme janë gjithashtu shumë të rehatshëm me hapësire të mjaftueshme për të ndenjur këmbë mbi këmbë dhe me “kondita” speciale, si p.sh. klimatizator autonom, etj.

Në mes të divanit të pasëm, ngrihet në mënyrë të pashmangshme një kurriz jo i vogel i cili është tuneli nëpër të cilin kalon transmisioni për rrotat e pasme: për ata që nuk e kanë kuptuar ende, ky është version All Wheel Drive (AWD).
Nga ana teknologjike, në bord të V90 mund të themi vetëm një fjalë për momentin: “Sensus”, sistemi multimedial i cili shoqëron të gjitha Volvot dhe në këtë rast ka të gjitha update-d e gjeneratës së fundit.
Në guidë kjo veturë ofron Pilot Assist, tashmë një standard për prodhuesin suedez, i cili përdor sensorë radar, telekamera dhe radarë për të ruajtur shpejtësinë, korsinë dhe distancën e sigurisë në mënyrë perfekte atje ku ka sinjalistikë horizontale dhe ku kufizimet e shpejtësisë nuk ndryshojnë çdo 200m.

Motori i këtij versioni të V90 është D5, me naftë i cili ofron një fuqi maksimale prej 235 kf. Ky motor është më se i denjë për këtë veturë i cili performon më së miri duke garantuar një sprint të konsiderueshëm: 7.7 sekonda për të arritur nga 0 – 100km/h me një konsum mesatar rreth 15km/l (ose thënë ndryshe, 6.6 litra per 100km). Përveç bagazhit, jo gjigand si të Volvo-ve të dikurshme dhe cmimit që nuk është për xhepat e çdokujt, kësaj V90 vështire t’i gjenden difekte të tjera.