na ndiq ne

Volvo prezanton V60 e re

22/02/2018

Volvo e re V60 është prezantuar dje në Stokolm. Gërma “V” në gamën Volvo është është tregues i makinave “station wagon” ose familjare, siç mund ta quajmë në Shqip, pavarësisht se ky term i bën këto makina ndoshta më pak atraktive. Nuk ka frikë ama nga përkufizimet V60 e re e cila është vërtet sexy dhe origjinale, pikë e përbashkët kjo me motrën e madhe V90, me të cilën ngjan vërtet shumë. Mbetet fakt që në klientelën “familjare” edhe për shkak të sigurisë, Volvo është vërtet një konkurrent i fortë.

Volvo V60 bazohet në shasinë SPA, e përbashkët edhe me SUV-in e suksesshëm XC60, nga i cili merr në huazim, me përshtatjet e rastit, edhe brendësinë luksoze, me shumë të përbashkëta edhe me çdo version tjetër të markës Suedeze.

Risi e një modeli të këtij segmenti do të jetë edhe mundësia e përfshirjes së V60 në platformën Care by Volvo (jo e pranishme në Shqipëri) ku klientët mund ta përdorin makinën nëpërmjet një pagese mujore, duke përmbysur kështu konceptin e pronësisë së makinës.

Në respekt të plotë të përkushtimit të Volvo-s për të elektrifikuar çdo model brenda 2019, V60 e re, propozohet në dy versione hibride plug-in (me karikim nga rrjeti): T6 twin Engine AWD bazuar në njësinë me benzinë + elektrike me fuqi 340 kuaj dhe  T8 Twin Engine AWD, benzinë + elektrike në gjendje të ofrojë 390 kuaj fuqi.

Motorët tradicionalë do të vazhdojnë të ofrohen në versionet T5 dhe T6 për benzinën dhe D3 ose D4 për naftën.

Pikë tjetër e fortë padiskutim mbetet siguria, flamur i përhershëm mburrjeje i Volvo-s, ku V60 e re shpalos një seri të gjatë sistemesh dhe opsionesh që i bëjnë jetën më të thjeshtë shoferit. Sistem frenimi automatik në qytet, i vetmi (deklaron Volvo) në gjendje të identifikojë kalimtarët, çiklistët dhe kafshët shtëpiake (të mëdha). Pilot Assist system është përmirësuar dhe është aktiv në frenim, përshpejtim dhe ndjekje korsie në kthesa deri në 130 km/h. Sisteme të tjera të shumta që ulin impaktin e përplasjes apo të korrigjimit të trajektores në rast pakujdesie janë vetëm disa nga sistemet e tjera të pranishme në V60 e re.

Në fund, Sensus, sistemi i Volvos për infotainment, garanton ndërlidhje të plotë me platformat Apple CarPlay dhe Android Auto, përveç funksioneve “tradicionale” të navigatorit, radios, muzikës, etj.

Ende nuk janë publikuar çmimet nga Volvo, por koncesionari zyrtar VolvoCar Albania premton se do të na njoftojë menjëherë sapo të zyrtarizohen.

Kliko në link për videon prezantuese: http://automag.al/video/volvo-v60-e-re/