Volkswagen Touareg i ri
Volkswagen Touareg, siç kemi informuar në një publikim të mërparshëm, udhëtoi vetë nga Wolfsburg-u për në Pekin, ku zuri një vend nderi në sallonin e madh që zhvillohet këto ditë. Me prezantimin në Pekin, Volkswagen tregon haptazi interesin e madh që ka për tregun përtej oqeanit. Touareg vjen kështu në gjeneratën e tretë dhe duket se përmirësimet janë të shumta e të dukshme.
Design nga ana e jashtme është më sportiv se modeli paraardhës dhe me një identitet më të fortë. Linjat janë më moderne, maskerino është një fyfyrë e re dhe fenerët kanë një design vërtet të goditur. Linjat e profilit janë të kuruara, të kërkuara dhe me parfangot e pasme të dukshme, Touareg i ri tregon edhe muskujt, por me sharm, brenda natyrës së tij. Një përdorim i pakursyer i detajeve të kromuara janë tregues i një cilësie premium që kësaj rradhe Touareg i ri nuk heziton ta tregojë.
Përmasat janë të ngjashme me modelin paraardhës, 488cm gjatësi, 198cm gjerësi dhe 170 cm lartësi, por të kombinuara në një trup dinamik dhe “në formë”. Disqet janë më të mëdha dhe fillojnë nga masa 18”.
Nga brenda Touareg-u i ri shpalos një design të rinovuar dhe mjaft personal. Kruskoti është i orientuar drejt shoferit duke ofruar një pozicion guide të ngjashëm me atë të një avioni. Shoferi është i vendosur në një qendër komandash që ngjan me një festival teknologjie. Në vend të kuadrit gjejmë një cockpit të bazuar në ekranin digital 12” ndërsa infotainment komandohet nga monitori në qendër të kruskotit me përmasa të bollshme 15”, aq sa dikur kishim tv në dhomën e gjumit 😊
Teknologjia e ndërlidhjes në bord është e plotë me Apple CarPlay, Android Auto, Media Control (për tablet), katër porta Usb dhe mundësinë për ndërlidhje WLAN WiFi që mundëson ndërlidhjen e tetë aparateve.
Pamja e përgjithshme gjithsesi nuk është më e ngarkuar se konkurrenca dhe duke marrë më të mirën nga kushërinjtë e “grupit” duket se Touareg nuk do të rrijë pas askujt.
Opsionet që ofrohen janë të shumta si Head Up Display, sedilje me funksion masazhi, tavani panoramik, ngjyrat e atmosferës në bord të ndryshueshme, etj.
Touaregu i ri është i ndërtuar mbi platformën MBL Evo, e njëjta me Audi Q7, Bentley Bentayga, Lamborghini Urus dhe Porsche Cayenne dhe ndoshta është e rëndësishme të thuhet që hapësira në bord (duket) e mjaftueshme për pesë persona.
Karroceria është e realizuar në një mix alumin dhe çelik që garantojnë soliditet pavarësisht se kanë mundësuar një humbje peshe prej 106 kile krahasuar me modelin paraardhës.
Siguria është një tjetër faqe e pasur e Touareg-ut të ri me sisteme të shumta, si psh. ai i “shikimit” natën, në gjendje të dallojë njerëzit dhe kafshët në kushte errësire.
Për sa i përket asistencës në guidë, Touareg-u merr më të mirën nga çfarë kemi parë deri tani në Audi: deri në 60km/h mund të manovrojë timonin, të mbajë korsinë, të përshpejtojë, të frenojë në mënyrë të automatizuar.
Në ndryshim drejtimi (opsion shtesë) Tuareg-u i ri ofron të katër rrotat reaktive, ku rrotat e pasme kthehen në krah të kundërt me ato të parat në manovra me shpejtësi të ulët, duke reduktuar hapësirën e nevojshme për t’u kthyer, ndërsa në ecje me shpejtësi kthehen në të njëjtin drejtim me ato të parat duke rritur kështu stabilitetin.
Për momentin, Volkswagen Touareg do të lançohet me dy motorizime, bazuar në njësinë 3.0 V6 Turbo, me 231 dhe 286 kuaj fuqi. Më vonë do të shtohet një i tretë benzine me turbo, me fuqi 340 kuaj, Ende nuk ka asnjë datë mbi versionet hibride, ku versioni i destinuar për Europën, hibride e llojit Plug-in, do të ketë fuqi 367 kuaj.
Tërheqja është integrale ndërsa kambio automatike me tetë marsha.
Çmimi, megjithëse pritet të jetë kompetitiv për nivelin e ofruar, nuk do të jetë pjesa më atraktive e kësaj makine 😊