na ndiq ne

Volkswagen T-Cross i ri

31/10/2018

Prodhuesi nga Wolfsburg vazhdon të rrisë gamën e tij të modeleve dhe këtë padyshim e bën duke ndjekur trendet e tregjeve ndërkombëtare. E kemi thënë shpesh që preferenca për modelet Suv vazhdon të jetë në rritje dhe Volkswagen ka menduar mirë të ofrojë një model me logon e tij që të plotësojë ofertën e tij duke filluar nga poshtë.

Ky segment, i pagëzuar tashmë B-Suv, gëzon një kuotë tregu interesante dhe pritshmëria e Volkswagen është ambicioze në këtë segment. Kjo nuk është e pabazuar në fakte dhe mjafton të kujtojmë emra si Kia Stonic, Peugeot 2008 apo Renault Captour, për të kuptuar më mirë segmentin.

Modeli i ri quhet T-Cross. Është i gjatë 411 cm dhe vjen me një design interesant, duke huazuar disa nga tiparet e modelit më të madh T-Roc, e cila është 13cm më e gjatë. Kjo mendohet se është një avantazh për jetën në një qytet si Tirana, ku parkimi mbetet një nga sfidat e ditës. Kjo gjë është akoma më e vështirë se fundmi me zhdukjen e parkimeve anësore në favor të korsive të biçikletave.

Përkufizimi më i saktë teknikisht për T-Cross do të ishte “crossover” në vend të termit Suv, por kjo nuk e ndryshon natyrën aventureske të modelit të ri. Këtu mjafton të mendojmë që pozicioni i guidës krahasuar me Volkswagen Polo është 11 cm më i lartë.

Projektuesit gjermanë kanë menduar mirë të ofrojnë sediljen e pasme të lëvizshme para/mbrapa deri në 14 cm për të favorizuar sipas nevojës bagazhet apo hapësirën për pasagjerët. Volumi minimal i bagazhit  është 380 litra, që nuk janë keq për këtë segment, por në rast nevoje arrin deri në 1.280 litra, duke palosur sediljen e pasme. Ky është një fleksibilitet që në raste të caktuara mund të jetë vërtet i dobishëm.

Duke qenë një model më i rafinuar krahasuar me makinat e segmentit B të zakonshëm, kjo crossover ka më shumë stil dhe një identitet më të dallueshëm. Maskerino është më e madhe se ajo e Polo-s dhe mundëson një design më harmonik në integrimin e dritave të para. Veshjet plastike që shërbejnë për të ofruar mbrojtje ndaj gërvishjeve janë edhe një element stili që duam tëtregojnë më mirë karakterin e kësaj makine dhe dritat mbrapa, të bashkuara me një vijë të hollë duan të tregojnë ngjashmëri me disa modele Audi dhe Porsche, për të treguar lidhjen “fisnore” me to. Disqet 18” plotësojnë pamje sportive të T-Cross.

Nga brenda ambjenti është i kuruar dhe ofron teknologji të mjaftueshme.  Kuadri dixhital, monitori i infotainment është me prekje, hapja e dyerve është e mundur edhe pa çelës dhe plot sisteme të tjera e bëjnë T-Cross një model interesant për segmentin ku bën pjesë. Edhe teknologjia e sigurisë është e plotë me ruajtjen aktive të korsisë, frenimin e emergjencës, e shumë sisteme të tjera.

Motorët janë me benzinë dhe naftë dhe fillojnë me versionin bazë 1.000 kubikë me benzinë, me tre cilindra. Fuqia e këtij motori është 95 kuaj, e mjaftueshme sipas teknikëve gjermanë.

Kambio DSG me shtatë marsha është e ofruar (shtesë) në disa prej versioneve të mundshme.