na ndiq ne

Volkswagen Polo e re

06/12/2017

Polo është një emër ndër më të vjetrit në Europë në segmentin e makinave të qytetit, e propozuar nga Volkswagen për herë të parë përpara afro 40 vjetësh.

Ndër vite ajo është rinovuar shpesh për të arritur në gjeneratën e gjashtë me shumë risi dhe premtime. Me kuriozitet dhe kënaqësi pritëm telefonatën nga Porsche Albania për një xhiro prove të modelit të ri në versionin Highline, të motorizuar 1.0 me benzinë, me tre pistona dhe 95kf, version që së bashku me versionin 75kf pritet të jenë modele mjaft të preferuara për tregun tonë. Versionet me naftë do të ishin më pak të preferuara për ne pasi diferenca e çmimit në blerje do të donte jo pak kohë të amortizohej. Versionet me naftë do të bënin sens vetëm nëse bëhen vërtet shumë kilometra gjatë një viti. Kjo këshillë natyrisht nuk prek shijet dhe zgjedhjet personale.

Ndryshimi me modelin e mëparshëm perceptohet menjëherë në linjat më moderne dhe në përmasat e rritura. Maskerino paraqitet e ngushtë dhe moderne, me fenerët LED (të cilët janë pajisje serie), dhe një vijë të kromuar “bashkon” fenerët duke përshkuar gjithë maskerinon. Të gjithë elementët e asembluar me kujdes japin një look që tregon gjithë vëmendjen e designer-ave nga Wolfsburg.

Në profil linjat janë të përpunuara dhe me disa vijëzime të valëzuara në pjesën e sipërme të dyerve duke i dhënë një pamje solide. Në pjesën e pasme stopat janë relativisht të vegjël dhe ruajnë më shumë ngjashmërinë me modelin paraardhës ndërsa në qendër, në zonën sipër targës, është vendosur stema e Volkswagenit, e cila shërben edhe si dorezë për hapjen e bagazhit.

Siç e thamë më lart, Polo e re është e bollshme në përmasa, plot 405 cm e gjatë, (pak cm me pak se Golfi IV, një ndër më të suksesshmit e historisë) e gjerë 175 cm dhe e lartë 145 cm. Distanca ndërmjet akseve është rritur në 256 cm, gjë kjo veçanërisht e dobishme për hapësirën e brendshme. Atje ku Polo e re tejkalon Golfin IV është kapaciteti i bagazhit, ku vëllimi është plot 351 litra (21 litra më shumë).

Nga brenda, sikur të kishim hyrë me sy mbyllur do të mendonim që do të ishim në një model tjetër, jo në një Polo. Ky perceptim është i dyfishtë, nga hapësira dhe nga cilësia e realizimit. Kruskoti është harmonik, modern dhe i realizuar me materiale të buta dhe cilësore. Plastikat në pjesën e poshtme (poshtë frenës së dorës) janë disi më të forta, por zgjedhja këtu diktohet nga nevoja për të patur materiale më rezistente në këtë zonë.

Në Polon e re hapësira është e bollshme. Nuk jemi në nivelet e një Passat-i, të kuptohemi, do të ishte e tepërt të pretendohej, por çdo pasagjer, përpara dhe mbrapa, gjen hapësirë të mjaftueshme për t’u sistemuar në mënyrë të rehatshme.

Timoni është i veshur me lëkurë, realizimi është cilësor dhe është i pasur në komanda. Kuadri, siç jo gjithmonë në këtë kategori, është dixhital dhe lejon një mori informacionesh të pasqyrohen në të, sipas preferencave dhe zgjedhjeve të shoferit.

Një gjë që vumë re mungonte ishin dorezat mbajtëse në tavan, por me siguri askush nuk ka ndërmend të përshkojë kilometra në terrene të ashpra malore me këtë makinë.

High tech në bord si asnjë në këtë kategori. Rolin kryesor në pajisjet teknologjike në bord e natyrisht e luan monitori touchscreen (5.6” në modelin në provë) i cili integron të gjitha komandat e funksioneve infotainment në një ekran me look vërtet teknlogjik. Çdo funksion dhe informacion që lexohet në ekran të lejon të thellohesh duke klikuar në çdo kategori dhe detaj në të.

Në variantin e provës, integrimi me smartphone bëhet nëpërmjet lidhjes bluetooth në mënyrë të thjeshtë dhe intuitive. Aksesi është i plotë mbi rubrikën, mesazhet, telefonatat në hyrje dhe dalje dhe natyrisht ne përmbajtjen e file-ve dixhitalë.

Të mëson si të kursesh. Në ekranin e madh me prekje, në qendër të kruskotit mund të përzgjidhen të dhënat që dëshirohen të pasqyrohen dhe një nga këto mundësi përfshin funksionimin dhe monitorimin e motorit duke udhëzuar për një guidë “bluemotion” që në gjuhën e Volkswagen-it do të thotë kursim dhe ndotje e ulët për ambjentin.

Dalim këtu natyrshëm tek motori i Polos së re i cili në rastin tonë ishte versioni 1.0 turbo me benzinë me tre cilindra dhe 95kf. Sensacioni është në tërësi pozitiv ku qetësia është vërtet e perceptueshme dhe në rastet që guida bëhet disi gazmore duke e shkelur pedalin, zhurma e tre pistonëve ngjason me një koshere të vogël bletësh që e lëvizin pa vështirësi masën e veturës. Nuk është një makinë sportive, të kuptohemi, por guida është vërtet pa stress në çdo rrethanë.

Kambio automatike DSG me dopio freksion bën një punë perfekte për ta mbajtur gjithmonë në regjim motorin duke e bërë guidën relaksuese. Per habinë tonë, në përdorim manual të kambios  (më saktë sekuencial), kontrolli është i plotë mbi çdo ulje apo ngritje marshi, por nuk arritëm të bënim më mirë se DSG-ja, kështu që iu rikthyem me kënaqësi sërish guidës automatike.

Një gë që na goditi tek Polo e re, (në ndryshim me çdo Golf IV të mundshëm) është një ndjesi lehtësie dhe shkathtësie e makinës, e perceptueshme në çdo situatë, përfshirë trafikun e tmerrshëm të unazës së re në orët e ngjeshura. Është ai sensacioni që të japin disa makina të reja ku ndihesh i asistuar nga sistemet e ndryshme të komjuterizuara të cilët punojnë të palodhur për t’i lehtësuar punën shoferit.

Në autostradë, në shpejtësi 100 km/h motori punon me regjim prej 2.200 xhiro/minutë, regjim i ulët ky për një motor benzine i cili mundëson konsume të ulëta dhe ecje të qetë në bord.

Start and stop është aktiv. Motori fiket sapo makina ndal, por ndezja është e menjëhershme sapo lëshohet pedali i frenës. Ajo që na pëlqeu më shumë ishte fakti që nëse jemi të ndaluar në trafik, motori ndizet sapo makina që kemi përpara lëviz, duke na tërhequr kështu edhe vëmendjen të mos humbasim kohë nëse jemi përhumbur në celular apo diku tjetër.

Sensorët e parkimit ofrojnë sinjalizim akustik por edhe viziv në ekran, ku vlerësojmë si shumë të  dobishme pamjen e trajektores që makina bën në varësi të lëvizjeve të timonit. Kjo gjë ndihmon shumë në manovrat e ndryshme të parkimit.

Polo e re propozohet me çmim fillestar 12.780euro për versionin me benzinë 1.0 me 75kf dhe ka të përfshira një listë të gjatë aksesorësh si kompjuter bordi, fenerë Led, drita mjegulle, xhama dhe pasqyrat elektrike, timon multifunksional, disqe alumini, etj. Të gjitha këto pajisje opsionale, me në veçanti “City Emergency Brake” (sistem frenimi automatik i cili dallon edhe këmbësorët) e bëjnë Polo e re një nga propozimet më kompetitive në këtë segment.