Volkswagen ID.R fillon të vendosë rekorde
Volkswagen ID.R është prototipi elektrik sportiv i prodhuesit gjerman i cili ka si objektiv, ndër të tjera, të vendosë disa rekorde për të treguar që rrugën din ta zotërojë vërtet.
Nën guidën e pilotit Romain Dumas, i mirënjohur në garat e famshme “24 Orë Le Mains” dhe “24 Orë Nurburgring“, ID.R-ja ka ngjitur majën e malit Tianmen në Kinë, për 7 minuta, 38 sekonda dhe 585 të mijëtat.
Kjo qafë mali, e lartë 1.519 metra, ka jo pak por 99 kthesa të forta në një distancë rreth 11 km.
Në fakt, “rekordi” në vetvete është një lëvizje pak me “hile” e prodhuesit gjerman, pasi për këtë majë të lartë nuk ka është se ka ndonjë rekord të mëparshëm. Koha e vendosur nga Volkswagen në këtë pikë do të shërbejë si një referencë për çdokënd që do të dojë të aventurohet në këtë sfidë, tashmë të hapur.
Vlen të përmendet që kjo iniciativë, nuk është aspak ndër më të thjeshtat. Në më pak se 11 km, kjo qafë mali ka gati 100 kthesa, disa prej të cilave me rreze më të vogël se 5m, thënë ndryshe, “bërryla” siç i quajmë në një gjuhë më popullore. Diçka më shumë se qafa e Llogarasë, jo shumë nga lartësia, sesa nga gjarpërimi ekstrem. Në këtë “pistë” natyrale, Volkswagen ID.R, me gjithë 680 kuajt fuqi që disponon, ishte pajisur me goma të veçanta Bridgestone, pasi për këtë sfidë, çdo detaj duhet të ishte në nivelin më të lartë.
Të shohim sa do të zgjasë rekordi, pavarësisht se Volkswagen është optimist se do të ketë një jetë të gjatë.