na ndiq ne

Volkswagen Golf VIII

18/12/2019

Gjenerata e re është moderne dhe teknologjike

E prezantuar për herë të parë në vitin 1974 me design nga një mjeshtër si Giorgetto Giugiaro, Volkswagen Golf ka ditur të fitojë zemrat e mbi 35 milionë klientësh në të gjithë botën duke u bërë edhe makina europiane më e famshme në botë.

Me këto premisa, sa herë flitet për një gjeneratë të re, ngjallet një kuriozitet universal, i cili lidhet edhe me faktin se Golf-i ka qenë gjithmonë një “trendsetter” ose ndryshe një orientim unik në treg jo vetëm për segmentin C por edhe për modele të segmentit D, të cilët edhe pse indirekt shohin tek Golf një konkurrent potencial.

Gjenerata e re e sigluar Golf VIII rinovohet ndjeshëm edhe pse nuk revolucionon veten e saj, sidomos nga ana e design-it të jashtëm. Modeli i ri në fakt është ndërtuar rreth dy fjalëve kyç: teknologji dhe efiçencë.

Nga jashtë Golf VIII ruan formën dhe raportet, por rinovohet në detaje. Turiri është më modern me maskerinon që thuajse zhduket. Logo Volkswagen është tashmë i vendosur më shumë se gjysma në parakolp ku integrohet në pjesën e poshtme të parakolpit, poshtë të cilës gjendet edhe zgara e radiatorit. Fenerët, natyrisht Led, sjellin një formë të re, me harqe në pjesën e poshtme, por në tërësi harmonike. Profili është ndoshta pjesa më besnike me çdo gjeneratë të mëparshme ndërsa pjesa e pasme është disi më e ngritur me fenerët Led, ku në qendër gjejmë sërish logon VW e cila shërben njësoj si më parë edhe si dorezë për hapjen e bagazhit.

Përmasat ndryshojnë pak, me gjatësinë që rritet 2 cm (428cm në total), gjerësi të pandryshuar (179cm) ndërsa lartësia ulet me 3 cm (146cm) dhe është pikërisht kjo e fundit që i jep një look disi më të “shtrirë”. I pandryshuar mbetet edhe kapaciteti i bagazhit, 380 litra në kushte normale deri në 1.237 litra duke shtrirë divanin e pasëm.

 

Nga brenda Golf VIII rinovohet rrënjësisht me një design që ecën me hapin e kohës. Kruskoti është i design-uar në stil minimalist si të gjitha gjeneratat e mëparshme, por që këtu theksohet edhe më shumë nga thuajse zhdukja totale e butonave dhe e levës së kambios në rastin e kambios automatike DSG.

Detajet teknologjike e kompletojnë ambjentin e brendshëm duke i dhënë një karakter modern. Ekranet Led ofrojnë të gjitha informacionet e mundshme duke filluar nga kuadri, me përmasa 10” ndërsa infotainment varion në përmasa nga 8.3” në 10.3”. Komandat tashmë janë të gjitha me prekje ose me “gjeste” si kontrolli i volumit apo ndezja e dritave, apo edhe me komanda zanore.

Përveç teknologjisë, jeta në bord është e një cilësie të lartë edhe nga cilësia e materialeve të përdorura, të buta dhe cilësore. Klimatizatori mund të shkojë deri në tre zona dhe atmosfera në kabinë ndryshon shpesh falë dritave të brendshme të ambjentit që ofrojnë deri në 32 konfigurime.

Motorizimet rinovohen gjithashtu, ku vëmë re zhdukjen e motorëve të naftës përveç njësisë së kolauduar ndër vite 2.0 TDI, ndërsa benzina mbështetet në versionet bazë tek njësia 1.0 me tre cilindra dhe fuqi 110 kuaj dhe 1.5 me katër cilindra dhe 130 kuaj fuqi. Versioni 1.5 eTSI Mild Hybrid ofron 150 kuaj, kambio automatike DSG dhe në ecjen me shpejtësi konstante “fik” dy cilindra për të konsumuar më pak. Motori elektrik 48 volt ofron 12 kuaj fuqi shtesë që japin ndihmesën e tyre në raste përshpejtimi.

Versionet hibride të llojit Plug-in (me karikim nga priza) bazohen në njësinë 1.400 kubikë dhe ofrojnë 204 kuaj fuqi në versionin normal dhe 245 kuaj fuqi në versionin sportiv GTE. Nëse kjo e fundit, rrezikon të zëvendësojë siglën legjendare GTI, do të ishte një tradhëti e lartë për të gjithë Golfistët J

Nga ana teknologjike, gjenerata VIII ofron një nivel të lartë opsionesh të denja për një makinë të segmenteve sipërore.

Golf VIII disponon komunikim të llojit “makina me botën” (Car2X). Me fjalë të tjera, makina komunikon me makinat e tjera dhe me objekte të infrastrukturës deri në 800 metra larg, e dobishme kjo në raste sinjalizimi të një rreziku si psh një aksident apo akull në rrugë. Ruajtja e korsisë, cruise control aktiv, sistem parkimi automatik, përdorimi i telefonit në vend të çelësit, dritat e gjata aktive, Wi-Fi në bord, janë vetëm disa nga opsionet teknologjike që gjenerata VIII ofron.

Nuk mungojnë edhe opsione sigurie si frenimi automatik i emergjencës apo një sistem kundër përgjumjes së shoferit.

Në Europë Volkswagen Golf VIII do të ofrohet me çmime që fillojnë rreth 25.000 euro dhe të gjitha versionet do të kenë një sasi opsionesh të konsiderueshme të përfshira në çmim. Çmimet për tregun tonë duhet të zyrtarizohen ende, por pritet një çmim më i ulët se ai europian.