na ndiq ne

Volkswagen Golf GTI mbush 45 “vjeç”

02/03/2021

Versioni i veçantë ClubSport nuk do të jetë për të gjithë

45 vite janë një periudhë e gjatë për çdo gjë, por kur flasim për një makinë, janë një histori më vete. Kur kjo histori quhet Golf, atëherë është edhe një histori suksesi e rrallë.

Në këtë histori, një vend të veçantë në podiumin e nderit e zë padiskutim versioni GTI, i cili me rastin këtij përvjetori është pagëzuar Clubsport 45 dhe përfaqëson një ekzemplar koleksioni që ndoshta për herë të parë në histori nuk është për këdo. Nuk bëhet fjalë këtu për prodhim me porosi të kufizuara siç mund të ishte një Bugatti, por ky version nuk do të jetë i disponueshëm për të gjitha tregjet.

Që nga versioni i parë GTI i vitit 1976 modeli ka shitur diçka si 2.5 milionë njësi, një shifër kjo e respektueshme ose më mirë e admirueshme nga çdo prodhues për këdo model sportiv. Nëse do të bënim një batutë, kjo sasi, aplikuar popullsisë sonë sot, do të thotë që çdo shqiptar do të posedonte një të tillë dhe një Golf GTI do të ishte padyshim një objekt lumturie 🙂
Volkswagen Golf GTI Clubsport 45 është e motorizuar me njësinë me 4 cilindra, 2.000 kubikë TSI dhe zhvillon 300 kuaj fuqi dhe 400 Nm moment rrotullues. Vlera këto premtuese për një hatchback që peshon pak raportuar me këtë fuqi.

Kambio është ajo e përjetshmja Volkswagen, DSG me shtatë marsha ndërsa tërheqja është në aksin e parë i cili për herë të parë ofron një diferencial autobllokues me komandim elektromekanik. Për të kontrolluar këtë fuqi (të rritur) është përshtatur edhe impianti i frenave, i cili përveç disqeve më të mëdha ka edhe një lojë intriguese kuqe e zi! Një spoiler i zi (bisht) premton të përmirësojë aerodinamikën e makinës duke optimizuar flukset e ajrit, përveç se t’i japë këtij versioni të veçantë një pamje sportive dhe ndoshta edhe pak retrò. Shpejtësia është e kufizuar në mënyrë elektronike në kuotën 250km/h ndërsa me paketën Race, ky limit mund të hiqet.

Versioni i veçantë pajiset nga fabrika edhe me badge (logo) që e dallojnë nga versionet normale. Kështu “logon” 45 e gjejmë në cepat e parafangove të pasme dhe në timon.
Personalizimet janë të pasura në opsione, për të gjitha shijet, për ata klientë që do të mund ta porosisin. Çmimi i shitjes do të jetë gjithashtu “special”, por një version i tillë, e thamë, nuk është për këdo.