na ndiq ne

Triggo, makinë apo motor?

15/05/2020

Kompania polake rinovon konceptin e transportit urban

Në qytetet e mbipopulluara transporti urban mbetet një nga problemet e përjetshme dhe çdo kompani e botës së lëvizshmërisë tenton vazhdimisht të sjellë diçka të re për publikun. Në këtë kontekst nuk mungojnë edhe kompanitë pioniere që ofrojnë gjëra të reja. Është rasti i kompanisë polake Triggo, e cila ofron një mjet interesant me një teknologji origjinale.

Nuk është një makinë, por as një motor. Teknikisht termi i saktë është kuadriçikël, që shkurtimisht do të thotë një mjet me katër rrota dhe me timon shumë më të ngjashëm me atë të një motori, edhe pse në rastin e Triggo-s ai është diçka edhe më e veçantë.


Kuadriçikli i propozuar nga Triggo shtyhet nga dy motorë elektrikë 13 kuaj fuqi dhe me bateri të ndërrueshme. Kjo e bën më të thjeshtë çështjen e autonomisë. Kur mbaron bateria, nëse nuk ke kohë ta karikosh mund të vendosësh një bateri të re. Kjo natyrisht është e kushtueshme për një përdorim personal, por është e përshtatshme për përdorimet e përbashkëta në kontekste qyteti (në rastet e formulave “car sharing” për shembull). Bateria ka një kapacitet 8 kWh falë së cilës Triggo përshkon deri në 100 km.


Përmasat e këtij kuadriçikli janë modulare dhe këtu vijmë tek pika më origjinale e Triggo-s. Gjatësia është 260 cm ndërsa gjerësia është 86 cm në kushte trafiku apo parkimi dhe zgjerohet në 148 cm kur Triggo ecën me shpejtësi dhe ka nevojë për më shumë stabilitet. Si është e mundur kjo?

Amortizatorët dhe krahët e aksit të parë kanë aftësinë të “palosen” apo të “hapen”. Në përdorimin në qytet, deri në shpejtësinë 25 km/h Triggo ecën me rrotat e para të mbledhura, duke zënë praktikisht hapësirën e një motoçiklete, ndërsa nëse duhet të ecim më shpejt, për të qenë më i qëndrueshëm, atëherë rrotat e para zgjerohen, duke kaluar në një strukturë më të ngjashme me atë të makinave të zakonshme. Drejtimi ndryshon falë punës së rrotave të pasme dhe e gjithë telajo paloset në kthesë si një motoçikletë.

Kuadriçikli i Triggos peshon 530 kg pëfshirë baterinë. Nëse shohim brenda në kabinë, timoni është më i ngjashëm me atë të një makine ndërsa kapaciteti është për dy persona, ku pasagjeri ulet pas shoferit, si në motoçikletë.
Triggo ka përdorur për këtë mjet teknologjinë “drive by wire”. Komandat e gazit dhe të frenave nuk punojnë me kavot tradicionale, por ia besojnë këtë elektronikës.