na ndiq ne

Toyota Yaris Cross

25/04/2020

Zgjerohet familja Crossover

Toyota Yaris është tashmë një model i mirënjohur ndër më të shiturit në botë në segmentin e makinave të qytetit (saktësisht të segmentit B). Nisur pikërisht nga kjo, prodhuesi japonez mendoi ta zgjerojë minisegmentin Yaris duke ofruar një model të ri në ofertën e makinave 4×4. Nga ana e tregut duket si një veprim i mirëmenduar duke patur parasysh që konkurrenca në këtë segment prodhon numra interesantë. Modele si Peugeot 2008, Nissan Juke apo Renault Captour tashmë janë të lajmëruar.

Po e fillojmë prezantimin tonë me një paralajmërim: mos e paragjykoni nga emri. Nëse emri Yaris tregon një makinë qyteti, Yaris Cross nuk është thjesht një Yaris disa cm më e lartë, por është një model krejtësisht më vete në kuptimin e mirë të fjalës. Bazohet në platformën TNGA – Toyota New Global Architecture dhe do të prodhohet në Francë, pra duke u bërë kështu me pashaportë europiane.

Design i Toyota Yaris Cross është ndoshta elementi më i arritur aq shumë sa mund të themi që ky model mund të quhej më mirë Rav4 Junior apo diçka të ngjashme sepse në fakt ngjan vërtet më shumë me një Rav4. Pamja ballore është e rëndësishme dhe moderne, profili i përpunuar me kujdes dhe me detaje cilësore ku spikasin parafangot muskuloze të veshura me plastikë mbrojtëse dhe detaje që e pasurojnë si sigla e kromuar “Hybrid” poshtë pasqyrës dhe emri Yaris Cross i realizuar në bojën e karrocerisë mbi mbrojtësen plastike të telajos poshtë derës së pasme.

Profili i prerë në zonën e pasme krijon një formë dinamike duke i dhënë karakter ndërsa mbrapa Yaris Cross është e formëzuar dhe me reliev në zonën e dritave që bashkohen me një shirit Led mbi të cilin vendoset logo Toyota. Detaje si tavani me ngjyrë të ndryshme nga karroceria e pasurojnë edhe më shumë duke ofruar mundësi personalizimi dhe duke e bërë edhe më trendy. Me fjalë të tjera personaliteti i kësaj makine do të jetë një nga pikat e forta.

Toyota Yaris Cross është e gjatë 418 cm, e gjerë 177 cm dhe e lartë 156 cm. Kjo do të thotë se hapësira në bord për kategorinë e saj është e mirë duke konsideruar edhe 256 cm hapësirën midis akseve.

Kruskoti është i organizuar në dy nivele me me në qendër në zonën e sipërme ekranin me prekje të infotainment dhe më poshtë miniekranin e klimatizatorit me komanda fizike (me butona). Realizimi duket cilësor dhe këtë e tregon dhe fakti që klimatizatori është me dy zona.

Projektuesit japonezë kanë punuar me kujdes edhe në drejtim të sigurisë. Kjo duket nga përfshirja e disa elementëve si psh “head-up display” zakonisht pajisje që ofrohet në modele më të shtrenjta, frenim emergjence, etj. por na ra në sy një risi ose me saktë një inovacion.

Toyota ka prodhuar një airbag që pozicionohet midis dy sediljeve të para duke ruajtur që shoferi dhe pasagjeri i parë të mos përplasin kokat me njëri-tjetrin në rast aksidenti. Cruise control aktiv me Stop&Go, Lane Asistant, asistenti i manovrave të emergjencës, fenerët Led, etj. janë elementë që pasurojnë më tej paketën teknologjike.

Toyota Yaris Cross do të ofrojë edhe tërheqjen 4×4 (opsionale) gjë që shumë rivale të saj nuk e ofrojnë. Motorizimet do të jenë për të gjitha shijet, me naftë, benzinë dhe hibride. Deri këtu Yaris Cross i ka të gjitha letrat në rregull, por do të na duhet të presim pak pasi dorëzimi në koncesionarë parashikohet për nga mesi i vitit tjetër.