Toyota Land Cruiser “freskohet”
Segmenti i makinave sportive, është mjaft i gjerë, dhe shpesh zhvillohet jashtë asfaltit. Pikërisht atje ku shumë makina nuk guxojnë të shkelin, disa të tjera, pikërisht atje ku terrenet janë të vështira, duket sikur shprehin më mirë natyrën e tyre të vërtetë, duke na dhënë kështu një ndjesi lirie të paçmuar.
Është ky rasti i Toyota Land Cruiser, një fuoristradë sade, e cila për versionet në shitje për 2018 duket se ka rifreskuar grimin dhe sjell disa risi interesante.
Modeli i suksesshëm i prodhuesit Japonez nuk duhet ngatërruar me Suv-ët apo Crossover-at me pamje qytetare që popullojnë rrugët e qyteteve të cilët megjithëse më të lartë se veturat tradicionale, që shpesh vuajnë më shumë se to në kur kushtet e rrugës vështirësohen.
Land Cruiser është një fuoristradë e mirëfilltë, me komoditet dhe cilësi mjaft të mira për përdorim qyteti apo autostrade, por që ofron siguri dhe liri të plotë kur asfalti fillon të shterrojë. E prodhuar për herë të parë në vitin 1951, Toyota ka ditur të rinovojë modelin ndër vite, pa i ndryshuar AND-në modelit, i cili lindi pas luftës së Dytë Botërore për të konkurruar Jeep-in amerikan.
Versioni i rifreskuar, është në të vërtetë një operacion facelift-i, por që në fakt sjell edhe disa pajisje teknologjike të rëndësishme.
Nga ana vizuale është rinovuar kryesisht pamja ballore. Maskerino tani më e madhe për të lejuar më shumë ajër në motor dhe ka një pamje më moderne dhe më solide. Kofano, në përshtatje me maskerinon paraqet një përpunim në reliev me dy “kurrize” paralele që duke i shtuar edhe fenerët e rinj më të ngushtë (sipas modës), që integrojnë dritat e ditës, i japin Land Cruiser-it një pamje më agresive dhe të fuqishme.
Versioni me tre dyer është i gjatë 4.56metra ndërsa versioni me 5 dyer arrin në 4.84metra.
Nga brenda ndryshimet janë edhe më të dukshme. I gjithë kruskoti është rikonceptuar dhe materialet duken më cilësore se në versionin e mëparshëm.
Kuadri tani përfshin një ekran 4.2” ku shumë komanda janë të integruara në timon dhe vetë timoni është i rinovuar tërësisht. Një ekran tjetër më i madh, 8” është në shërbim të infotainment, i cili shërben si qendra e komandimit për të gjtiha funksionet e Toyota Touch 2.
Toyota Safety Sense është sistemi i sigurisë i cili përfshin reagimin mbrojtës “përpara impaktit”, identifikimin e kalimtarëve,Cruise Control aktiv, sinjalizim në rast daljeje nga korsia, sinjalizim për mjetet që presin rrugën në rast manovre mbrapsh, moitorim i zonës së verbër, etj.
Në këtë model duket se edhe komoditeti është përmirësuar duke përfshirë sediljet të cilat janë të ventiluara dhe me ngrohje.
Siç dihet tashmë, Toyota ka deklaruar fundin e prodhimit të motorëve diesel për shkak të vështrësive qe hasin këto njësi motorike për të respektuar normativat antindotje, të cilat bëhen gjithnjë e më të vështira. Kjo shpjegon pse motori do të mbetet i njëjtë me gjeneratën e mëparshme dhe do të jetë 2.800 kubikë. Kjo njësi arrin të zhvillojë 177 kuaj fuqi. Momenti rrotullues është 450Nm dhe ky motor arrin të shtyjë Land Cruiser-in nga 0-100 për 12 sekonda dhe shpejtësia maksimale është 175km/h. Konsumi i karburantit është i ulët duke konsideruar përmasat e mjetit. Toyota deklaron 7.4litra/100km.
Në disa vende mund të ofrohen edhe njësitë me benzinë, që do të ishin 2.7 VVT-i, me 161kf dhe 4.0 VVT-i, me 294kf.
Në vendin tonë, duket se ende normativat antindotje nuk përbëjnë kërcënim, por edhe pse këto limite nuk ekzistojnë ligjërisht, është mirë të mendojmë se këto limite ekzisojnë në natyrë vetvetiu dhe se shëndeti, ai yni në rradhë të parë, është investimi më i rëndësishëm.