na ndiq ne

Toyota Highlander

20/04/2019

Toyota vazhdon të rinovojë gamën e saj në segmentin SUV. Kësaj here, është rradha e modelit Highlander, një model që ka qenë destinuar kryesisht tregut amerikan, por që e kemi parë jo pak edhe në rrugët tona.

Toyota Highlander ka debutuar për herë të parë në vitin 2001, duke ofruar ndër vite katër gjenerata. Modeli i ri vjen me identitet të fortë duke marrë linjat aktuale të design-it të ri Toyota, të cilin ne e kemi parë më parë me modelin më të suksesshëm në botë Suv, Rav4 (kliko këtu për modelin e ri Toyota Rav4).

Maskerino e dukshme ka shprehi dominnante, por ruan gjithsesi një ekuilibër harmonik. Fenerët janë të ngushtë sipas modës, në ekstremet e sipërme të ballinës, gati-gati si dy vetulla. Profili është mjaft dinamik, me forma që sikur duan të na kujtojnë pak linjat sportive, në stilin e Range Rover Velar-it, por me origjinalitet, pa e kopjuar atë. Frymëzimi dinamik shprehet akoma më shumë në zonën e parafangos së pasme, muskuloze dhe në pah. Në pjesën e pasme Highlander na kujton sërish “lidhjen familjare” me Rav4, por sërish me stil.

Highlander është një Suv i madh në përmasa dhe në kapacitet: gati 5 metra e gjatë mund të konfigurohet deri në tetë vende brenda. Premtimi i Toyota-s është që ky Suv garanton edhe një luks dhe komoditet që të gjithë klientët e prodhuesit leader botëror e kanë vlerësuar fort. Pasagjerët mund të ulen në sediljet e organizuara në tre rreshta, ku rradha e dytë dhe e tretë mund të palosen për të mundësuar hipjen dhe zbritjen dhe ngarkimin e bagazheve.

Për të udhëtuar sa më rehat, Highlander ofron një modem për lidhjet me internetin, klimatizator me tre zona, impiant audio me 11 altoparlantë, etj etj.

Kujdesi për shoferin shprehet në detaje të ndryshme si ulja automatike e dritave të gjata këmbimeve me mjetet që vijnë përballë, sedilje me ngrohje dhe ventilim, etj.

Ekrani i sistemit infotainment mund të përzgjidhet midis 8” dhe 12.3” dhe ofron ndërlidhje të plotë me platformat Apple CarPlay dhe Android Auto.

Për sa i përket sistemeve ADAS Highlander ofron Cruise Control aktiv, ruajtjen e korsisë, frenimin automatik të emergjencës në gjendje të dallojë kalimtarët, etj.

Nga ana e motorizimit, siç e kemi thënë edhe më parë, Toyota ka deklaruar “miqësi me mjedisin” dhe ofron motorë me benzinë dhe hibridë.

Njësia moderne me benzinë V6 me vëllim 3.500 kubikë ofron 299 kuaj fuqi, është me injeksion direkt dhe ka një punim të optimizuar përmes teknologjisë VVT-i që monitoron hapjen dhe mbylljen e valvulave të shkarkimit.

Kambio është automatike me tetë marsha ndërsa tërheqja integrale është sipërore dhe si rrallë herë më dy opsione zgjedhjeje. Sistemi “tradicional” çon gjysmën e fuqisë në aksin e pasëm  në raste nevoje, ndërsa sistemi i evoluar i quajtur Dynamic Torque Vectoring AWD është në gjendje të shpërndajë fuqinë në mënyrë inteligjente në secilën rrotë.

Versioni Highlander Hybrid bazohet në motorin me benzinë me 4 cilindra, me vëllim 2.500 kubikë, së bashku me një motor elektrik. Fuqia totale është 243 kuaj fuqi. Ky version është edhe ekonomik në konsum duke premtuar vetëm 8 litra/100km.

Së fundmi, Toyota Highlander 2020 pasurohet edhe me programet e guidës me mundësi përzgjedhjeje midis Normal, Eco dhe Sport, përveç programit Ev që mundëson ecjen vetëm me motorin elektrik për distanca jo të gjata.

Do ta donim një SUV të tillë në Shqipëri? Do të ndryshonit mendim sikur të thoshim që çmimi fillestar i këtij Suv-i të madh fillon nga 31.000 dollarë, që përkthyer në euro do të ishte më pak se 28.000euro?