Toyota Fine-Comfort Ride Concept
Toyota dukej sikur kishte ruajtur një kartë të fortë në mëngë mqs në sallonin e Tokios mund të quhet që “luante në shtëpi”. Kështu, ndërkohë që të gjithë prodhuesit janë në panik nga vdekja (e paralajmëruar) e motorëve me naftë nga normativat antindotje gjithmonë e më agresive, duket sikur të gjithë befas zbuluan alternativën e vjetër elektrike.
Pa dashur t’i heqë asgjë kësaj teknologjie të re, Toyota na rikujton edhe një drejtim tjetër të vlefshëm në motorët elektrikë: Fuel Cell me hidrogjen . Kështu kolosi japonez paraqet Fine-Comfort Ride Concept në format e një MPV (Multi Purpose Vehicle) ose ndryshe “Van” ose “monovolume” (mqs termi i vjetër mikrobuz na duket pak demodé) të projektuar për gjashtë pasagjerë. Përmasat janë të bollshme me gjatësi 483 cm, gjerësi 195 cm dhe lartësi 165 cm.
Kjo makinë ka një design dhe teknologji inovative Fuel Cell (bateri me hidrogjen). Kjo teknologji premton kohë furnizimi minimale prej tre minutash dhe sjell një autonomi utopike për këtë sektor: deri në 1.000 kilometra.
Në formën e një diamanti nga jashtë, Fine-Comfort Ride Concept ofron një koncept të ri edhe nga ana aerodinamike. Një rëndësi e veçantë i është dedikuar hapësirës në bord. Hapësira brenda është modulare dhe e bollshme edhe për sediljet e pasme të cilat nuk janë më në formën e një divani klasik por të ndara dhe të veçanta. Sediljet e pasme ofrojnë mbështetëse për këmbët, mund të shtrihen dhe rotullohen duke ofruar liri maksimale në bord gjatë udhëtimit. Dera që lejon hyrjen në vendet e pasme nuk është me mentesha por me shina.
Teknologjia e së ardhmes bëhet reale me bllokun e komandave, i bazuar në një monitor të madh të harkuar në zonën e sipërme të kruskotit. Një monitor i dytë i cili gjendet mbi timon, dhe është i lidhur me projektimin e informacioneve më të rëndësishme në xhamin e përparmë. Xhamat anësorë mund të shndërrohen në display elektronik.
Blloku i timonit, i cili mund të “mbyllet” në kruskot sugjeron guidën autonome të nivelit 4, por ende nuk ka informacione të tilla në këtë drejtim dhe në fakt na duket pak e vështirë përderisa ende nuk ka asgjë konkrete mbi guidën autonome të nivelit të tretë.
Nëse Fine-Comfort Ride Concept do të mbetet thjesht një “concept” interesant apo do t’i hapë rrugën një drejtimi të ri të Toyota-s mbetet ende për t’u parë.