Toyota është superfuqia hibride
Modelet e elektrizuara ecin deri në 95% të kohës me bateri
Vështirë të thuhet se ka një fjalë që të sjell më shumë ndërmend makinën elektrike sesa Prius, emri i modelit të parë elektrik i prodhuar nga Toyota për herë të parë në vitin 1997. Pasi gjysma e globit dhe prodhuesit më “fashion” të botës automotive vinin bast në dështimin e këtij modeli dhe teknologjie, Toyota vazhdoi me bindje rrugën e saj.
Sot Prius është modeli më i famshëm i makinave të elektrizuara, e kudonjohur dhe me meritat e një pionieri që sot po sfidon botën tradicionale të motorizuar me benzinë dhe naftë. Kujtojmë këtu që kjo e fundit është braktisur totalisht nga Toyota për një mjedis më të pastër dhe për të prodhuar makina më efiçente.
Po si funksionojnë makinat hibride?
Për të mos e bërë shumë të ndërlikuar dhe teknike këtu, themi shkurtimisht se janë të pajisura me dy motorë, një me benzinë dhe një elektrik, i cili furnizohet nga një bateri e cila akumulon energji (karikohet) në çdo frenim dhe duke e përdorur atë në momente të ndryshme. Këto mund të jenë për të ndihmuar motorin me benzinë kur kërkon më shumë fuqi ose duke e fikur atë kur fuqia e nevojshme është minimale dhe e zëvendësueshme me motorin elektrik.
Por Toyota nuk ofron vetëm modelin Prius në variantin hibrid, por thuajse të gjitha modelet e saj. Ndër ato best seller mund të përmendim këtu përveç Prius modelin Suv (qyteti) C-HR, Corolla apo Rav4, e ofruar në variantin hibrid në gjeneratën e parafundit dhe në atë aktualen. Shkurtimisht, këto modele kanë këto motorizime në variantet hibride:
Prius: 1.800 kubikë, 122 kuaj fuqi,
C-HR: 2.000 kubikë, 184 kuaj fuqi,
Corolla: 1.800 kubikë, 122 kuaj fuqi,
Rav4: 2.500 kubikë, 218 dhe 222 kuaj fuqi.
Nga një studim i fundit, është kurioze t’ju sjellim këtu se këto modele, ndryshe nga sa mendohet arrijnë të punojnë vetëm me motorin elektrik deri në 70% të përdorimit në qytet. Kjo do të thotë që në qytet, këto makina kanë një konsum rreth 4.5 litra/100km. Gati gati qesharake, apo jo? Ju kujtojmë që flasim këtu për makina me motor relativisht të madh me benzinë, me kambio automatike dhe nivel performance të pëlqyeshëm. Përjashtim këtu bën Prius. Nëse nga ana e performancës nuk ka qenë asnjëherë simbol për djegie gomash në semafor, nga ana tjetër, në versionin me karikim, Prius punon gati 95% të kohës vetëm me motorin elektrik. Kjo sjell një konsum mesatar në qytet prej vetëm 1 litri/100 km!
Vështirë se ka ndonjë makinë që konsumon më pak se kaq. Nëse jeni duke menduar se makina juaj e ardhshme duhet të ketë më shumë respekt për mjedisin dhe xhepin tuaj, atëherë duhet të fusni në listën tuaj patjetër edhe modelet e kolosit Japonez.