na ndiq ne

Tesla Model S cabrio?

26/01/2021

Po! Padyshim do të na pëlqente.

Tesla ka qenë një markë që ka patur një pozicionim disi të veçantë në panoramën automobilistike.

Megjithëse ka debutuar në disa segmente, blerësi tipik Tesla është një blerës racional që normalisht shtyhet të blejë një Tesla i joshur nga teknologjia e re deri diku, por kryesisht nga pozicionimi ekologjik. Jo se nuk qëndrojnë si motivacione, por kjo e bën blerësin e Tesla-s një blerës të ftohtë.

Ajo që po ju prezantojmë këtu është një Tesla e veçantë dhe që për të parën herë i shkel syrin një blerësi pasional. Makinat cabrio madje duket sikur janë deri diku edhe në rënie dhe tashmë kanë mbetur deri diku zgjedhje e disa njerëzve që kanë një garazh të pasur me makina dhe nuk e shohin garazhin vetëm si vendi që parkon makinën, por si një kënd kulti.

Versioni i veçantë i Model S Cabrio, prezantohet nga studio e design-it modeneze Ares Design, si shumë gjëra të bukura që vijnë nga ajo krahinë e Italisë. Projekti në fjalë në fakt është një porosi e një klienti që ka kërkuar të ketë një ekzemplar të tillë. Studio e projektimit, ka vënë dorë në telajo (modeli cabrio ka 2 dyer), në aerodinamikë dhe në hapësirën e brendshme. Natyrisht është parashikuar mundësia e mbylljes së kabinës në rast shiu, ku si në shumë modele cabrio, kur nuk duhet, mbulesa paloset në bagazg.

Brenda ndryshimet janë pasojë e riorganizimit të hapësirës, aerodinamikës dhe sidomos në divanin e pasëm ku për shkak të mbulesës, hapësira zvogëlohet. Faktikisht, në makinat kabrio, zakonisht divani është i llogaritur për dy vende dhe jo tre si në shumicën e makinave. Pjesa tjetër e elementëve si lëkura me dy ngjyra, etj janë zgjedhje estetike të klientit.

Projekti ose më saktë realizimi në fjalë na pëlqen. Ndoshta Tesla do të duhet ta konsiderojë këtë në versionet e saj (dhe të falenderojë Ares Design).