na ndiq ne

Tesla Model 3

23/05/2019

Tesla Model 3 ishte premtimi i madh i Elon Musk që do të demokratizonte përdorimin e makinave elektrike. Pas një kalvari të gjatë mes shumë dyshimesh nëse Model 3 do të prodhohej ndonjëherë, prodhuesi kalifornian e mbajti fjalën dhe Model 3 është tashmë e disponueshme për publikun. Si shumë gjëra të tjera të veçanta, edhe shitja bëhet sipas mënyrës së tyre, dmth online, jo fort praktike kjo për publikun shqiptar.

Si është Model 3?

Model 3 është një veturë e klasifikueshme në segmentin D, në të njëjtën kategori me një Audi A4 ose një Alfa Romeo Giulia, për të dhënë një ide më konkrete. Filosofia e Tesla-s ka qenë ajo e një design-i të pastër, të thjeshtë e të pangarkuar. Që të jemi të sinqertë, rezultati nuk është tamam entuziasmues, por vjen harmonik dhe i pëlqyer për origjinalitetin që tregon. Një markë e re, ka nevoje mbi të gjitha për një identitet të fortë dhe në këtë drejtim Model 3 ia ka arritur qëllimit.

Nqs nga jashtë Tesla e kalon mirë provimin, nga brenda situata është disi më ndryshe dhe jo tamam për mirë. Me siguri Model 3 është origjinale, por në disa drejtime lë pak për të dëshiruar. Ekrani i madh në qendër të kruskotit është i veçantë, i madh e me funksione të shumta, por kruskoti nuk ka asgjë tjetër, as komanda për klimatizatorin. Kjo gjë që e bën Model 3 nga brenda gati gati të varfër. Duhet të kemi parasysh këtu që Tesla vjen si një prodhues antikonformist dhe që në të vërtetë përshpejtoi kohët e kalimit në një energji alternative. Kjo argumenton edhe këtë zgjedhje preçize të një filozofie të re, deri diku minimaliste (dhe kursimtare nga ana e prodhimit), me rrezikun që shijet nganjëherë janë të ngadalta për t’u përshtatur.

Vijmë tek motori dhe bateria, ku Tesla Model 3 ka edhe pikën e saj më të fortë. Oferta parashikon tre versione. Versioni standard, i quajtur Standard Range Plus, ka një motor në aksin e pasëm që zhvillon 287 kuaj fuqi, ka një autonomi 415 km dhe përshpejton nga 0-100 për 5.6 sekonda. Vërtet aspak keq, por akoma më mirë premton versioni i mesëm, i quajtur Long Range, i cili është i pajisur me një motor të dytë në aksin e parë, me fuqi të rritur në kuotën 350 kuaj. Autonomia rritet në 560 km ndërsa koha 0-100 ulet në vetëm 4.7 sekonda.

Versioni top, i quajtur Performance, ka 462 kuaj fuqi, 530 km autonomi dhe një kohë 0-100 prej vetëm 3.5 sekondash, duke dhuruar kështu një performancë prej një makine sportive ekstreme, por që do të kushtonte më shumë se një veshkë dhe do të kishte një konsum karburanti prej sheiku.

Interesante është këtu, pjesë e filozofisë Tesla, një lloj minimalizmi që vërehet në një minilistë opsionesh shtesë ku përfshihen vetëm disa variante boje, dy lloj copash për sediljet dhe mundësinë e përzgjedhjes së pilotit automatik. Nëse doni më shumë, Tesla thotë stop!

Vijmë tek çmimi, që konsiderohej si një nga pikat e forta të saj. Me zhgënjim zbulojmë se versioni standard, që në Shtetet e Bashkuara mund të porositet online për vetëm 31.900 dollarë (ose 28.500eur), në Europë, psh në Itali, vjen me çmimin 49.480 euro. Çmimi real në fakt i një Tesla Model 3 është 39.900 dollarë (35.000eur)  në USA, por nëpërmjet mekanizmave fiskalë, çmimi ulet me 8.000 dollarë.

Versionet e tjera në Europë vijnë me çmime mesatare 59.900eur Long Range dhe 69.900 versioni Performance.

Ndoshta ia vlen të kujtojmë këtu se një eGolf me motor elektrik, si ata që përdoren Bashkia e Tiranës, kushton 39.000eur, ose 10.000 euro më pak se versioni bazë i Model3. Duke llogaritur që Shqipëria nuk figuron fare në faqen zyrtare të Teslas, mos duhet vallë ta marrim këtë si një mesazh që ne Europianët duhet të blejmë vetëm në Europë? Ne fund të fundit, me sa duket, nuk do të dilnim të humbur edhe nga ana financiare.