Tesla Cybertruck
Forma të pazakonta, të mprehta e me cepa të shoqëruara, motorizim elektrik dhe i blinduar janë receta e Tesla-s për modelin e parë pick-up të prodhuesit amerikan.
I pazakontë, gati gati … nuk po shprehemi më tej, por me siguri mund të themi se askush nuk do të kishte vënë bast për një sukses të menjëhershëm. Ndoshta nëse mendojmë që pas këtij prezantimi gjendet një personazh egocentrik si Elon Musk, atëherë ndoshta diçka fillon të bëjë sens. Dëshira për të provokuar është e pandalshme dhe kësaj rradhe, sipas rregullit që “reklama e keqe nuk ekziston” duhet të mendojmë se ky model, në këtë formë mund edhe të jetë menduar pikërisht në këtë formë. Çdo koment apo artikull që nuk e lavdëron këtë model është gjithsesi duke folur për të. Aq më shumë kjo gjë mund të jetë e vërtetë nëse mendojmë që porositë për këtë model kanë tejkaluar kuotën 250.000 njësi në pak më shumë se 48 orë.
Si është Tesla Cybertruck? Ky Pick – up është i gjatë 588cm dhe i gjerë 200cm, me fjalë të tjera gjigand, ndër më të mëdhenjtë e kësaj kategorie. Zona për të ngarkuar në pjesën e pasme është gjithashtu voluminoze edhe pse e mbyllur. Kapaciteti i ngarkesës është gati 2.900litra për një peshë maksimale prej 1.6 tonësh. “Kapaku” ka një formë unike të pjerrët dhe hapet me një komandë elektrike dhe krijon një formë që i shton karakter këtij mjeti që mund të quhet së paku i veçantë.
Tesla Cybertruck do të ketë tre versione. Versioni me një motor me tërheqje në aksin e pasëm tërheqje) do të ketë një autonomi prej 400 km. Nuk kemi të dhëna mbi fuqinë, por Tesla deklaron një performancë me kohë 0-100km/h për 6.5 sekonda dhe një shpejtësi maksimale 177 km/h. Çmimi fillestar i këtij versioni është 39.900 dollarë.
Versioni i mesëm do të ketë dy motorë, tërheqje 4×4 dhe autonomia rritet në 482 km. Çmimi për këtë version rritet në 49.000 dollarë, ndërsa versioni i tretë, me çmim fillestar 69.000 dollarë ka tre motorë, autonomi deri në 800km dhe përshpejton si pak sportive mbi tokë: vetëm 2.9 sekonda për kohën nga 0-100km/h ndërsa shpejtësia maksimale është 200km/h.
Vlen të theksohet se ajo që është quajtur sukses i konfirmuar nga porositë në fakt është një hiperbole, pasi porositë janë provizore dhe të mundësuara nga një formular online i cili “konfirmon” porosinë me një depozitim minimal prej 100 dollarësh. Më tej, në momentin e nisjes së prodhimit ky “urdhër” i parë duhet konfirmuar më tej. Gjithsesi nuk mund të kundërshtojmë që mbetet një interes imadh aktiv edhe sepse çmimi fillestar për një mjet të tillë është i ulët.
OOPS … harruam të themi se gjatë prezantimit Elon Musk doli bllof live në testin e xhamave të kësaj makine që quhet të ishin antiplumb. Të dy xhamat anësorë të krahut të shoferit u krisën vetëm nga goditja e një gjyleje të vogël të gjuajtur me dorë. Apo të jetë ky një tjetër marifet marketingu? Me Elon Musk nuk i dihet kurrë, por në Youtube gjeni plot video të prezantimit të shkuar huq kështu që mund të gjykoni vetë.