Suv i ri nga Seat do të quhet Tarraco
Tarraco do të jetë emri i SUV-it nr.3 nga prodhuesi spanjoll. Edhe ky emër, si në traditën Seat, rrjedh nga emri i një qyteti antik, në ditët e sotme Tarragona. Në kohën e emrit të vjetër, Tarraco ishte një nga qytetet më të mëdha të Hispanias.
Veçori në këtë rast është se zgjedhja nuk vjen nga departamenti i marketingut por nga vetë klientët dhe tifozët e markës.
Për përzgjedhjen e këtij emri, Seat organizoi një konkurs me hashtagun #SEATseekingName (Seat kërkon emër) në të cilin morën pjesë 146,124 tifozë. Tarraco mori mbi 51,903 (35.52%) vota, i ndjekur nga Avila, i votuar plot 41,993 herë (28.74%) dhe më pas Aranda, në vend të tretë me 39,321 vota. Tarraco është emri i parë i një modeli Seat i cili zgjidhet me konkurs popullor.
Drejtuesit e Seat mendojnë se emri i qytetit është në linjë me vlerat e markës dhe duket se përputhet plotësisht me karakterin e modelit.
Modeli i parë Seat që merr emrin e një qyteti ka qenë Ronda i ndjekur më pas nga 12 modele të tjera si Ibiza, Malaga, Marbella, Toledo, Inca, Alhambra, Cordoba, Arosa, Leon, Altea, dhe dy të fundit, SUV Ateca dhe Arona.
Tarraco do të pasurojë nga lart gamën e ofertës SUV të Seat, duke sjellë një SUV të madh i cili konfigurohet deri në shtatë vende. Premisat janë më se pozitive duke qenë se Tarraco do të të mbështetet në bazën teknike të “best seller”-it Skoda Kodiaq dhe të Tiguan All Space. Tarraco pritet të jetë 470cm e gjatë dhe me një look më sportiv se modelet Skoda dhe Volkswagen, jo vetëm bazuar në traditën sportive Seat, por duket se konfirmohet edhe nga design-i i pjesës ballore që Seat ka publikuar vetëm të pjesshëm, aq sa për t’i shkelur syrin të gjithë fansave. Seat Tarraco do të jetë gati për lançim në fund të këtij viti.