Super Diablo e Jamiroquai-t në shitje!
Tashmë kanë kaluar 20 vjet (1996) dhe ndoshta shumë nga ne e mbajnë ende mend hit-in “Cosmic girl” të Jamiroquai, në atë kohë në radiot dhe tv muzikore të gjithë Europës. Gjatë kësaj kohe grupi arriti majat e suksesit me këngën “Travelling Without Moving” duke u bërë disku funk më i shitur i të gjitha kohërave me 11,5 milionë disqe të shitura.
Duke u rikthyer tek “Cosmic girl” përveç vetë këngës, një sukses i madh qe videoklipi i saj dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: Protagoniste në këtë videoklip ishin tre super makina: një Ferrari F355 (berlinetta) e zezë, një F40 e kuqe dhe një Lamborghini Diablo ngjyre lejla.
Lamborghini nuk ishte një Diablo “dosido” por një SE30 (Special Edition 30) e lançuar në vitin 1993 për të festuar 30 vjetorin e shtëpisë prodhuese. Ky version ishte i konceptuar për të garuar në pistë dhe peshonte 125 kg më pak se versioni “i zakonshëm”.
Kjo super makinë me 525 kuaj fuqi dhe tërheqje në aksin e pasëm, ecën deri në 333 km/h dhe me një përshpejtim nga 0-100 km/h në vetëm 4 sekonda. (Njëzet e një vjet më parë këto shifra ishin marramendëse!)
Ky ekzemplar ndodhet tashmë në shitje në sallonin Amari Supercars në Preston të Britanisë me çmimin 549.995 stërlina. Diçka më shumë se 615 mijë euro. Kjo veturë ka patur deri tani 5 pronarë.
Nuk është çudi që blerësi i radhës të jetë pikërisht Jay Kay, lideri i grupit Jamiroquai. Jay kay është i njohur si një ndër koleksionistët më të çmendur të makinave në botën muzikore. Në garazhin e tij nuk mungojnë super makina (historike) si Lamborghini Miura, Aston Martin DB5 apo disa Ferrari si Enzo, F40, 330 GT Vignale, etj. Këto janë vetëm disa nga lista e gjatë e makinave të koleksionit të tij që përfshin në total 100 makina.