na ndiq ne

Skoda Vision X

06/03/2018

Segmenti Suv (Crossover) do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes me sa duket edhe në autosallonin e Gjenevës i cili inaugurohet javën e ardhshme.

Këtë e konfirmon edhe Skoda, marka çeke pjesë e grupit Volkswagen tashmë prej kohësh. Një nga  modelet që Skoda do të prezantojë në Gjenevë, është edhe Vision X.

Ky crossover, propozohet të përmirësojë mobilitetin e të ardhmes së afërt, edhe pse pa e rivolucionarizuar atë. Kështu, me përmasa që kanë në objektiv përdorimin urban (vetëm 426cm) Vision X ka në qendër mjedisin në të gjitha drejtimet.

Për të bërë këtë, Skoda lançon një risi që është Crossover-i i parë hibrid ku motori endotermik funksionon me gaz metan. Risi tjetër është gjithashtu edhe tërheqja 4×4 pa transmision të fuqisë në aksin e pasëm. Nëse ju duket e çuditshme apo e vështirë, le të shohim konkretisht si funksionon kjo.

Njësitë motorike vihen në lëvizje nga një mix elementësh energjie që përbëhet nga benzina, metani dhe korenti (i baterisë së motorit elektrik), jo në formën e një koktaili natyrisht, por secili veç e veç.

Motori endotermik ofron tërheqje në aksin e përparmë dhe është optimizuar për të funksionuar edhe me gaz metan, përveç benzinës. Bazohet në njësinë 1.5 TSI G-Tec dhe zhvillon 130 kuaj fuqi. Bombolat e gazit janë vendosur në pjesën e pasme, poshtë sediljes dhe në zonën e aksit të pasëm, ku gjenden edhe bateritë dhe motori elektrik. Ky motor ofron tërheqje në aksin e pasëm duke e bërë kështu Vision X një 4×4, pavarësisht se pa transmetimin tradizional që kalon poshtë shasisë duke zvogëluar edhe hapësirën në kabinë. Avantazh këtu është që sipas dëshirës apo nevojës, ky crossover mund të funksionojë me tërheqjen përpara, mbrapa apo të dyja bashkë.

Një motor i tretë elektrik, më i vogël, shërben për të ndihmuar motorin me gaz/benzinë dhe për të karikuar baterinë gjatë frenimit.

Skoda VisionX nuk është vetëm një Suv inteligjent dhe i respektueshëm ndaj mjedisit. Modeli i ri paraqet edhe një evolucion në design-in e markës çeke, i cili i shkel syrin një klientele të zgjeruar, me linja agresive dhe të mprehta të theksuara akoma më shumë nga disqet me përmasa 20”, me design 3D.

Filosofia “Simply Clever” këtu shkon edhe një hap më tutje me dy skateboard elektrikë që dallohen në bagazhin e Vision X, të cilët ofrohen për të mbërritur në destinacionin final pasi të keni parkuar makinën. Ide vërtet interesante për një transport urban ku Skoda mendon t’ju shërbejë deri në metrin e fundit.

Në pritje për të mësuar më shumë nga salloni i Gjenevës, Skoda zbulon me Vision X, një nga shumë risitë e panairit të madh europian, i cili ruan ende shumë për të treguar.