Skoda Superb Sportline 2.0 TDI DSG
Nëse në vitin 2017 Skoda tejkaloi shifrën 1.2 milionë makina të shitura në gjithë botën, një meritë e ka me siguri edhe modeli Superb, berlina më e madhe dhe më luksoze e markës çeke, pjesë e grupit Volkswagen.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, modeli i parë i Skoda Superb është antik dhe na çon në vitin e largët 1934 dhe ndoshta akoma më shumë mund të habisë fakti që modeli parashikonte që në atë kohë një version 4×4!
Duke ardhur në kohët tona, modeli aktual të cilin e analizuam në një test drive për lexuesit, është prezantuar për publikun në sallonin e autos në Gjenevë, në vitin 2015, duke filluar prodhimin më vonë të njëjtin vit.
Për provën tonë, zgjodhëm versionin Sportline 2.0 TDI me kambio automatike DSG, të pajisur bollshëm me opsione, sipas nesh më i përshtatshmi për të dëshmuar nivelin që Skoda ka arritur me Superb, duke u përmirësuar ndjeshëm në pozicionim.
Pikë së pari, tek Superb e re na tërheq pamja e saj e jashtme, imponente në përmasa, 486 cm e gjatë. Kjo gjatësi e pozicionon atë në një ndër modelet më të mëdha të segmentit D dhe në fakt hapësira në bord është një nga pikat e saj të forta. Përpara ofron ndjesinë e një makine të një segmenti më të madh ndërsa pasagjerët mbrapa mund të rrijnë këmbë përmbi këmbë. Në qëllimet e Skodës, për klientelën “business”, ky model mund të ofrohet edhe si makinë e stafit “ekzekutiv”, gjë që shpjegon edhe vendin e dedikuar të çadrës në derën e përparme, i kollajtë për shoferin që më tej duhet të hapë derën e pasme.
Superb vjen me një look modern, me linja të mprehta dhe të skalitura, me fenerët e përparmë të ngushtë që së bashku me “kurrizin” e vijëzuar në kofano, i japin kësaj berline një pamje feline. Projektuesit kanë bërë vërtet në punë të mirë duke krijuar një design të kuruar, harmonik dhe bashkëkohor, edhe pse kreativiteti nuk revolucionalizon esencën e modelit.
Nga brenda, Skoda është vërtet Superb (term që në shqip përkthehet në “ekselent” apo “superior”). Kruskoti ruan linja dhe forma esenciale duke të “mirëseardhur” në një ambjent familjar ku cilësia e realizimit është e një standarti të pakundërshtueshëm. Plastikat e kruskotit janë të buta, ndërsa pjesa e bllokut të komandave ështe e zhytur në një material të zi me llustër, si në modele të tjera superiore në kategori dhe çmim.
Teknologjia është e gjitha aty, me të gjitha funksionet dhe të gjitha mundësitë, por pa bërtitur dhe pa trazuar shijet klasike që vazhdojnë të preferojnë integrimin harmonik të elementeve në vend të një tableti të “ngulur” në mes të kruskotit.
Ekrani i madh në qendër të kruskotit mbulon më së miri funksionet e navigatorit, radios, funksioneve multimedia dhe një ndërlidhjeje intuitive të celularit nëpërmjet teknologjisë Bluetooth. Gjithashtu, si në çdo sistem të familjes Volkswagen, sistemi infotainment ofron edhe një monitorim të mirë të kushteve të makinës duke përfshirë edhe presionin e gomave, të konsumit të karburantit, etj.
Oferta teknologjike përmban edhe start&stop, gradime të ndryshme Eco, Comfort dhe Sport, etj., pilot automatik, ndezje pa çelës dhe me buton, e shumë e shumë pajisje të tjera.
Timoni është i veshur me lëkurë cilësore dhe integron komandat për funksione të ndryshme multimediale, por gjëja kryesore që vlerësuam më shumë ishte një sensacion soliditeti dhe sigurie në guidë. Vijmë kështu natyrshëm tek “zemra” e Superb-it, e cila bazohet në njësinë e konsoliduar 2.0 turbodiesel e cila zhvillon 190 kuaj fuqi, me origjinë Volkswagen. Pavarësisht se klientela e këtij modeli në të kaluarën ka preferuar më shumë versionin me 150kf, na duket vërtet mëkat të heqësh dorë nga ky version.
Guida e Skodës Superb ishte vërtet pozitive. Ky fakt nuk na habit, pasi nuk është sekret që shasia mbështetet në platformën MQB, baza edhe e Volkswagen Passat, së bashku me elementë të tjerë të përbashkët si kambio automatike DSG apo edhe vetë motori 2.0, i njëjti me modelet Premium të markave të tjera të grupit.
Pavarësisht pamjes sportive të versionit Sportline, përforcuar nga disa detaje estetike, përfshirë disqet dominante 19”, sportivë dhe të bukur në design, të cilët ndikojnë (për mirë) në stabilitet dhe siguri, nuk cënohet aspak rehati në bord. Performanca në rrugë ruan komoditetin dhe fluiditetin si cilësi kryesore. Në rrugë jashtë qytetit, me kthesa dhe malore, makina garanton mbajtje rruge perfekte edhe duke e fundosur shpesh pedalin e gazit, pavarësisht se në guidën “gazmore” preferuam ta gradonim në “Sport”. Duke respektuar kodin rrugor dhe sigurinë, Superb udhëton e lehtë dhe pa u ndjerë dhe përveç stabilitetit, është edhe reaktive, pavarësisht 486cm të gjatësisë së saj. Guida sportive është e mirëpritur, por ftojmë gjithmonë në vigjilencë të plotë pasi mund të gjendeni pa u ndjerë në shpejtësi të ndaluara.
Ndërkohë në autostradë, Superb udhëton e qetë duke izoluar në mënyrë perfekte çdo fishkëllimë nga ajri dhe zhurma e rrotullimit të gomave në asfalt. Kjo edhe falë izolimit ekstra “antizhurmë” që ofronte xhami i përparmë i modelit Sportline të provës sonë.
Në guidën në qytet apo në manovrat e parkimit, jeta e shoferit është më se e thjeshtuar nga sensorët e parkimit përpara dhe mbrapa dhe kamera që monitoron pjesën e pasme të makinës.
Skoda Superb, në gjykimin tonë final, vjen si një berlinë (ose sedan) shumëfunksionale, perfekte për klientelën familjare, por duke i shkelur syrin edhe klientelës së biznesit, e përshtatshme për flotat korporative. Hapësira e bollshme në bord, guida performante, teknologjia dhe siguria janë vetëm disa nga tiparet e këtij modeli, i cili ndër të tjera ka edhe një çmim konkurrues. Duke filluar nga 20.900 euro, me mundësi të mira edhe për financim Leasing, Superb është një konkurrente e fortë e Ford Mondeo, Peugeot 508, Opel Insigna apo konkurrentë të tjerë të segmentit.