na ndiq ne

Skoda Superb e re do të jetë kështu

08/05/2019

Skoda Superb, sedani i suksesshëm i kompanisë çeke duket se bëhet gati të rinovohet së shpejti. Në informacionin zyrtar të komunikuar ngaSkoda gjejmë edhe një foto zyrtare të modelit të ri. Bëhet fjalë për një skicë, besnike ndaj versionit final, por ende të papërfunduar ose më saktë, ende të paprezantuar në formën e saj finale.

Meqënëse imazhi i dërguar për gjeneratën e re është ngacmues, le të shohim se si modeli top i markës Skoda ka ardhur deri këtu.

Gjithçka fillon në vitin 1935. Emri Superb merr jetë për të pagëzuar një model me design tërheqës, shasi tubolare dhe hapësirë për shtatë pasagjerë në bord. Nga këtu mësojmë se ku bazohet karakteristika e markës çeke për të ofruar hapësirë të bollshme në bord.

Pas disa përmirësimesh, ky model arrin deri në motorin me tetë cilindra dhe 96 kuaj fuqi. Gjatë luftës së dytë botërore më shumë se 1.600 njësi u përshtatën për përdorime ushtarake dhe pesë ekzemplarë ofronin edhe tërheqjen integrale 4×4.

Emri Superb do të mbetet i papërdorur në vijim deri në vitin 2001, kur mund të themi se kemi gjeneratën e parë Superb të kohëve tona. Me këtë model Skoda do të rifitojë një segment të rëndësishëm, atë të sedanëve superiorë të segmentit D. Hapësira ishte e tillë që pasagjerët mbrapa mund të rrinin këmbë mbi këmbë, gjë shpesh e pamundur kjo edhe për një sedan luksoz që kushton edhe mbi dyfishin e Superb-it.

Detaje të tjera si vendi i posaçëm për çadrën, tregonin një vëmendje për detajet mbi mesataren.

Gjenerata e dytë vjen në 2008 me disa risi që e pasuronin modelin, si bagazhi me dy  mënyra hapjeje, tërheqje 4×4, fenerë Xenon, etj. Megjithëse e “pavendosur” midis linjave klasike dhe teknologjisë moderne, edhe ky model pati një sukses të mirë në treg pasi përbërësit e “recetës” Superb, i qëndronin gjithmonë besnikë sloganit “Simply Clever”, nga anglishtja, “Thjesht e zgjuar”.

Gjenerata e tretë e Skoda Superb është dëshmia më ambicioze e markës çeke në panoramën aktuale automobilistike. Ne i kemi dedikuar një artikull të zgjeruar bazuar në një provë të imët këtij modeli, që jua ripropozojmë këtu për rilexim.

Design i goditur, linja sportive, hapësirë që vështirë të gjendet edhe në një Audi A6, vëmendje në detaje dhe një bagazh ideal për udhëtime bëjnë këtë model gati gati të pakritikueshëm. Një version i goditur Station Wagon pasuron (ende) ofertën për klientelën familjare. Ky model është Superb-i më performant, duke qenë ndërtuar mbi platformën MQB, bazë për shumë modele të tjera të grupit Volkswagen, duke nxjerrë në dritë gjeneratën më moderne dhe teknologjike të këtij modeli.

Si do të jetë modeli i ri?

Dijmë ende shumë pak, pasi një skicë shërben më shumë për të nxitur fantazinë sesa faktet reale, por premtimi nga Skoda është që Superb e re do të ketë një design të një tjetër niveli dhe shumë përmirësime në të gjitha nivelet. Mbetet vetëm të presim … edhe pak.