Skoda Scala
Skoda ka ndërmend të pasurojë buqetën e saj në panoramën automobilistike dhe konkretisht do të propozojë diçka në segmentin C, të gjashme me Golf apo Leon, për t’u kuptuar dhe duket se tashmë kjo është më shumë se një ide. Modeli i ri do të quhet Scala dhe prodhuesi çek ka gati edhe imazhet e para të projektit.
Modeli do të prezantohet së shpejti dhe Skoda premton se do të ketë elementë tërësisht të rinj. Një element? Ekrani infotainment do të jetë më i madhi i kategorisë.
Scala në fakt mund të ketë edhe dy ekranë. Monitori me prekje me përmasa 9.2” mund të kombinohet edhe me kuadrin dixhital, ose “virtual cockpit” siç quhet ndryshe, i cili do të ketë përmasa 10.25”.
Për të përdorur më kollaj ekranin me prekje, projektuesit kanë krijuar një sipërfaqe të vogël mbështetëse për zonën kyçit të pulsit.
Skoda premton edhe cilësi të lartë materialesh, të cilët do të jenë të butë në prekje. Edhe sediljet do të jenë cilësore jo vetëm në design, por edhe në materiale.
Hapësira në bord është një tjetër element që karakterizon prodhuesin çek, ku thuajse të gjitha modelet e tij janë në nivele të larta për kategorinë përkatëse.
Bagazi psh. do të jetë 467 litra në kushte normale ndërsa me sediljen e palosur arrin deri në 1.140 litra.
Motorët e këtij modeli janë një garanci, duke qenë të Volkswagen. Motorizimi do të përfshijë benzinën me teknologjinë TSI dhe naftën me siglën e mirënjohur TDI. Fuqia do të fillojë nga 95 kuaj për versionin 1.000 kubikë me benzinë ndërsa me naftë do të fillojë nga 115 kuaj përversionin 1.600 kubikë TDI.
Me siguri do të ketë edhe versione të tjera, por si fillim kurioziteti ynë mbetet të shohim modelin e ri nga afër. Në pritje, ju lëmë në shoqërinë e fotografive që Skoda ka ofruar për mediat zyrtare të sektorit.