na ndiq ne

Skoda Octavia e re

12/12/2019

Lamtumirë Low Cost

Sedani i suksesshëm çek vjen në gjeneratën e tretë. Në të vërtetë, Skoda Octavia është prezantuar për herë të parë në vitin 1958, por pati një ndërprerje të gjatë nga viti 1971 deri në vitin 1996, kur vetë marka Skoda rilindi. 

Nga viti 1996 e në vazhdim është një histori që të gjithë e njohin. Në këtë gjeneratë Octavia vjen me ndryshime që reflektojnë pjekurinë e modelit në treg dhe qëllimet ambicioze për një pozicionim më të lartë.


Skoda Octavia e re është e ngjashme me paraardhësen për nga përmasat. Modeli i ri rritet pak nga jashtë dhe shumë nga brenda. Përmasat janë saktësisht 4.69m gjatësi, 1.83m gjerësi dhe 2.68m hapi midis dy akseve.

Nëse deri këtu kishim ngjashmëri, ndryshimet me modelin paraardhës janë të rëndësishëm duke filluar nga sa sheh syri. Pamja ballore është në linjë me frymën e re të design-it të markës që më parë e kemi parë tek Scala. Maskerino e madhe lidhet në mënyrë harmonike me fenerët, që tani janë bërë më teknologjikë dhe me kapakun e motorit, që ka forma të gdhendura të cilat i japin karakter pa e ngarkuar. Kjo frymë ndjek në fakt të gjithë design-in e jashtëm, ku pjesa më e goditur na duket profili, harmonik, me formë sportive dhe origjinal. Në pjesën e pasme është çdo gjë në vendin e duhur. Spikat këtu emri Skoda i shkruajtur me gërma të mëdha të kromuara siç e kemi parë edhe tek Scala apo edhe në modele konkurrente si Ford Focus.
Nga brenda ndryshimi me modelin paraardhës është edhe më i dukshëm. Nëse nga njëra anë shifrat flasin për rritjen e hapësirës me bagazhin që tani arrin 600 litra, vëllim ndoshta rekord për kategorinë, nga ana tjetër design-i dhe realizimi flasin për një makinë të re, qartësist më ambicioze që do të vulosë një shkëputje me gjeneratat e mëparshme. Design është i kuruar, megjithëse më minimalist dhe disi më i ftohtë. Rritet ergonomia dhe teknologjia në bord. Ekranet janë dy, një për kuadrin dhe një për infotainment, me përmasa që variojnë sipas versionit dhe që arrijnë deri në 10.25”. Octavia e re duket se i shpall luftë komandave fizike.

Klimatizatori komandohet me prekje (jo më me butona) dhe zhduket leva e kambios në versionet me cambio automatike DSG. Komanda në këtë rast është elektronike me një levëz që komandohet me një gisht. Sistemi infotainment përfshin mundësinë e ndërlidhjes 4G, përshtatje me Apple carplay dhe Android Auto.


Motorët do të jenë një kapitull i gjerë me versione me naftë, benzinë, me gaz metan, jo i pranishëm në vendin tonë dhe duke ecur me hapin e kohës do të kemi edhe versione hibride plug-in. Motorët me benzinë janë me vëllim 1.000 kubikë TSI me 110 kuaj fuqi dhe 2.000 kubikë me 190 kuaj fuqi. Versionet me naftë bazohen të gjitha në motorin 2.000 kubikë TDI i cili ofrohet me tre fuqi, 116, 150 dhe 200 kuaj.


Versioni plug-in bazohet në njësinë 1.400 kubikë me benzinë që ofron 156 kuaj fuqi të cilit i shtohet edhe një motor elektrik i vënë në lëvizje nga një bateri me kapacitet 13 kW. Fuqia totale e ofruar është 204 kuaj. Octavia e re mund të bëjë deri në 55km vetëm me bateri, të mjaftueshme thuajse për këdo për lëvizjet ditore.
Është ndoshta herët të flasim për çmim, por Skoda në këtë drejtim ka qenë gjithmonë kompetitive. Do të na duhet të presim edhe pak që ta shohim në konçesionar për të parë më mirë modelin nga afër dhe për të marrë të gjitha informacionet mbi versionet dhe çmimet.