Si të zgjedhim gomat e makinës
Udhëzime për gomat e pështatshme për mjetin tuaj
Gomat kanë një rëndësi parësore për makinën tonë. Rëndësia e tyre është e dyfishtë: së pari janë element themelor i drejpërdrejtë i sigurisë sonë (dhe të makinës) dhe së dyti, në varësi të përmasave dhe përshtatjes me makinën sipas nevojave tona, ato ndikojnë jo pak në sjelljen e makinës gjatë ecjes.
Më konkretisht, në lidhje me pikën e parë, nuk do ta përsërisim kurrë sa duhet se gomat janë gjysma sigurisë së makinës dhe shpesh në Shqipëri, vërtet të nënvlerësuara. Në vendin tonë ka kohë që lulëzojnë shitës të paautorizuar gomash, kryesisht të përdorura.
Nga një verifikim i bërë nga Automag, shumica e tyre shesin goma të konsumuara nga km e kryer ose nga koha.
Konsumi nga kilometrat e kryer dallohet lehtë sepse cdo gomë ka midis kanaleve të luleve disa shenja të cilat tregojnë limitin e konsumit të lejuar të gomës. Kur lulja e gomës barazohet në nivel me këto shenja, goma e ka përfunduar ciklin.
Por ky nuk është gjithmonë një element i mjaftueshëm për të vërtetuar konsumin e gomës, pasi ka disa lloje gomash të cilat kanë një përbërje më të fortë se disa të tjera ose ndodh që pas një ekspozimi të vazhdueshëm ndaj kushteve atmosferike, kryesisht gjatë stinës së nxehtë, të fortësohen ose më saktë të ngurtësohen dhe nga kjo pikë goma nuk konsumohet më sepse e fortësuar tej mase. Kështu, lulja duket e pakonsumuar por goma ka humbur aderencën (vetinë që të ngjitet pas asfaltit) duke e bërë makinën të paqëndrueshme në kthesa, në frenime apo në shi, pavarësisht sa sisteme teknologjike mund të ketë makina.
Në lidhje me këto dy pika, ne mund të këshillojmë që lulja është një element i verifikueshëm në sy të lirë dhe mirë është të mos presim që ajo të barazohet deri në milimetrin e fundit me shenjën treguese, ndërsa në lidhje me elementin e dytë, mund të themi që gomat nuk është mirë të jenë më të vjetra se 5-6 vjet sado e re të jetë lulja e tyre. Cikli i jetës së një gome mund të jetë edhe pak me i gjatë se kaq, por kjo vetëm nëse janë gomat tuaja, dini se si i keni përdorur dhe ku i keni ruajtur në rast jopërdorimi (psh kur përdorni dy komplete gomash, një për dimër dhe një për verë).
Viti i prodhimit të një gome është i detyrueshëm me ligj për çdo prodhues dhe gjendet i shënuar në profilin e jashtëm të saj. Ai është i vendosur në një drejkëndësh së bashku me javën e prodhimit i rrethuar me një kontur të hollë me cepa të rrumbullakosur. Është gjithmonë i përbërë nga katër shifra ku dy të parat tregojnë javen dhe dy të dytat tregojnë vitin. Kështu, sic e ilustron edhe figura, shifrat “0907” do te tregonin se kjo gomë është prodhuar në javën e 9-të të vitit 2007.
Një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe stina e gomave. Gomat e lejuara të përdoren në rrugë, janë kryesisht tre llojesh: goma vere, të cilat janë edhe gomat e ashtuquajtura normale. Nuk kanë asnjë simbol dallues përveç numrave dhe siglave të zakonshme që tregojnë përmasat e gomës, kodin e shpejtësisë, etj. “Lulja” e gomës në këtë rast është lisho dhe këtu dallojmë vetëm kanalizimet e zakonshme të nevojshme për drenazhimin e ujit.
Në llojin e dytë bëjnë pjesë gomat e dimrit, te cilat dallohen nga sigla M + S (Mood – gjol dhe Snow – borë) shpesh të shoqëruara nga simboli i kristalit të dëborës. Këto janë gomat me ekstreme për kushtet dimërore dhe në shumicën e rasteve mundësojnë qarkullimin e mjetit edhe pa zinxhirë. Edhe lulja e tyre është qartësisht e dallueshme për shkak të kanaleve të shumta në çdo pjesë të lules në pjesën e “tabanit” të gomës.
Në llojin e tretë bëjnë pjesë gomat e ashtuquajtura “katër stinët” të cilat janë të përshtatshme për dimër dhe për verë por jo për kushte ekstreme, sidomos në dimër, psh. jo borë e lartë në rrugë malore të thepisura dhe jo në kushte balte apo moçalesh. Këto goma janë të dallueshme pasi kanë kanalizime më të pakta dhe më të imëta në pjesët e lules së gomës dhe mund të kenë gjithashtu siglën M + S.
Idealja që ne do të keshillonim do të ishte që të përdoreshin dy komplete gomash, verore, të përdorshme në periudhën prill – nëntor dhe dimërore, të përdorshme në pjesën tjetër të vitit. Një alternativë e mirë për vendin tonë, i cili nuk dallohet për kushte dimri të vështira do të ishin gjithashtu edhe ato katër stinët, të cilat do të kursenin kështu angarinë e ndërrimit të gomave dy herë në vit dhe të magazinimit të gomave që nuk janë në përdorim.