na ndiq ne

Seat prezanton Tarraco

18/09/2018

Marka e njohur spanjolle, pjesë e grupit Volkswagen, ka disa kohë që po i përgjigjet më së miri tregut në segmentin SUV, duke ofruar modele kompakte dhe me çmime konkurruese, duke kapitalizuar nga reputacioni i mirë i grupit gjerman.

Me sa duket, bazuar në ecurinë e mirë të modeleve ekzistuese, Seat ka menduar që të zgjerojë ofertën edhe me modele më të kushtueshme, për të mbuluar segmentë më kërkues të klientelës. Seat Tarraco është një Suv i rëndësishëm duke filluar nga përmasat: 4.70metra gjatësi janë një shifër e rëndësishme që premton hapësirë në bord.

Vendi i prodhimit do të jetë Wolfsburg, atje ku prodhohet Golf-i, Tiguan-i, e shumë modele të tjera. Me fjalë të tjera do të jetë një model “Made in Germany”.

 Motorët do të jenë të superkolauduarit e grupit Volkswagen, me versionet e mirënjohura 2.0 Turbodiesel, më të rëndësishmit për tregun shqiptar, që variojnë në fuqi 150 dhe 190 kuaj fuqi. Kambio mund të jetë manuale ose automatike me shtatë marshe, me dopio freksion DSG. Duke qenë një SUV, nuk mund të mungojë edhe versioni me tërheqje integrale, 4Drive.

Nuk duhet harruar benzina, që ofron gjithashtu propozime interesante. Motori 1.5 TSI ofron 150 kf ndërsa 2.0 TSI ka të njëjtën fuqi të vëllait TD, 190 kf. Në drejtim të ekologjisë, Seat do të ofrojë në vijim edhe versionet me gaz metan dhe hibride me sistem 48 volt.

Një notë të veçantë meriton teknologjia e ofruar nga Tarraco, e denjë për një nivel cilësor. Dynamic Chassis Control ofron përshtatje automatike të makinës sipas për më shumë komoditet por edhe stabilitet në kthesa.  Lane Assist (ruajta e korsisë), Front Assist (frenimi i emergjencës), Cruise Control aktiv, Blind Spot Detection (monitorimi i këndit të verbër), Traffic Sign Recognition (leximi i tabelave rrugore) janë vetëm disa nga sistemet që Tarraco ofron. Nga brenda, kot të themi, tashmë kontroll “dixhital” është refreni i paevitueshëm.

Së shpejti, do të kemi edhe më shumë informacione mbi këtë model të ri, përfshirë edhe çmimin, që ende nuk është publikuar për Europën, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.