na ndiq ne

Seat Ateca 2.0 TDI 190 4Drive Xcellence

31/01/2018

Ateca është një vend i vogël në zemër të Spanjës prej të cilit merr emrin edhe modeli i Suv-it mesatar nga Seat. Ky model ka patur një sukses të madh që në lançim duke i dhënë një hov të rëndësishëm shitjeve të markës Seat.

Kështu, në bordin e versionit të sapo targuar vendosëm të marrim rrugën tonë drejt Elbasanit, ku rruga e vjetër me kthesa dhe malore, na u duk një mundësi e mirë për të testuar sjelljen e këtij Suv-i që në letër premton shpirt sportiv sipas traditës Seat.

Nga jashtë Seat Ateca është e realizuar mirë, me design të kuruar dhe një pamje tërheqëse të përforcuar nga një formë e përgjithshme kompakte. Të jep përshtypjen e një makine dinamike edhe prej linjave të mprehta, sidomos në profil, ku loja e relievit është dominante. Detajet e tjera si psh. fenerët me detaje Led, flasin për një look kontemporan të denjë për çdo markë të respektueshme.

Impakti i parë në bord është pozitiv për dy arsye: së pari, pozicioni ideal i guidës gjendet shumë kollaj dhe Ateca të bën të ndjehesh më shumë në bord të një sedani sesa të një fuoristrade. Së dyti sepse kruskoti dhe kuadri janë shumë “miqësorë”. Kruskoti është i realizuar me materiale të buta (= cilësi) dhe është i orientuar nga shoferi. Vendin kryesor e zë natyrisht ekrani touchscreen (5” në modelin e provës) me funksionet “infotainment” dhe mundësi ndërlidhjeje me smartphone nëpërmjet Bluetooth. Paçka se funksional, stononte me pjesën tjetër të makinës, e cila siç thamë, na goditi pozitivisht, prandaj dhe këshillojmë këtu versionin me ekranin e madh 8″ (në foto) i cili është në lartësinë e duhur.

Timoni transmeton një ndjesi soliditeti që konfirmohet edhe në ecje. Seat Ateca lëviz pa asnjë hezitim dhe përgjigjet mirë në çdo komandë. Frenat na bindin që në metrat e parë. Frenimi është i plotë, i shpejtë por jo agresiv dhe të jep menjëherë sigurinë se ke gjithçka nën kontroll.

Sapo fillojmë kthesat e para vërejmë se Ateca është komode dhe reagon mirë por është pak e butë për shijet tona. Kështu vendosëm të kalojmë menjëherë në gradimin Sport, ku ndryshimi është më se i ndjeshëm. Makina ndryshon karakter duke u ngurtësuar menjëherë dhe paçka se bariqendra mbetet e lartë (është një SUV) sjellja e saj bëhet e sigurtë edhe duke u rritur shpejtësia, aq sa na sfidon ta “stresojmë” përgjatë gjarpërimit në kthesat e Petrelës.  Kjo është edhe meritë e amortizatorëve, që në këtë version janë para dhe mbrapa multilink indipendentë (McPherson).

Versioni në provë bazohet në njësinë motorike 2.0 me naftë, me 190kf, i pranishëm edhe në modele të tjera të familjes Volkswagen dhe është ndoshta një nga pikat më të forta të Ateca-s.  Momenti rrotullues është 320 Nm në 1.450 xhiro/minutë. Rezultati është një kohë e lavdërueshme prej 7.5 sekondash për të shkuar nga 0 – 100km/h dhe një motor i gatshëm ndaj komandës së pedalit të gazit, i mirëasistuar edhe nga kambio automatike DSG me shtatë marsha dhe me dopio freksion. Përveç sprintit, motori na u duk në lartësinë e duhur edhe sepse e bën guidën të qetë, të kënaqshme dhe asnjëherë impenjative. Premtimet janë të mira edhe për njësitë e tjera motorike të gamës, duke filluar nga versioni 1.0 TSI me benzinë, por pasi provon performancën e 190 kuajve fuqi, është vështirë ta braktisësh.

Rezultatet pozitive dhe cilësia e kësaj makine lidhen edhe me shumë elementë që janë të përbashkët të familjes Volkswagen. Nga ana e shasisë, Ateca mbështetet në platformën MQB, e cila është e njëjta me atë të Volkswagen Tiguan, pavarësisht se Ateca është 12cm më e shkurtër. Seat Ateca është një makinë perfekte familjare me hapësirë të bollshme përpara dhe mbrapa ku edhe më të gjatët nuk do të kenë probleme. Bagazhi është gjithashtu jo vetëm i bollshëm por edhe i shfrytëzueshëm më së miri, falë sediljeve që palosen në rast nevoje.

Në autostradë, brenda shpejtësive te kodit tonë rrugor, Ateca udhëton e qetë dhe pa zhurmë.

Një sensacion akoma më të veçantë na e dha edhe ecja jashtë asfaltit. Nuk bëmë asgjë impenjative dhe të vështirë, por na u duk e drejtë që të provonim shijen e tokës së pashtruar, mqs makinat SUV lindin për aventurë dhe liri. Ateca në këtë rast mjaftoi të gradohej në “Normal”, por programet janë të shumta duke përfshirë Offroad dhe Snow në varësi të terrenit jashtë asfaltit ose Normal, Eco, Sport dhe Individual për të përzgjedhur gradimin në guidën në asfalt.

Duke filluar nga 18.900euro, me shumë mundësi zgjedhjeje në motorë dhe opsione personalizimi, Seat Ateca është një propozim vërtet i vlefshëm në një segment të populluar masivisht, ku konkurrenca shpalos emra të rëndësishëm si Nissan Qashqai, Toyota Rav4, Mazda CX5, Hyundai Tucson, por edhe Karoq dhe Tiguan brenda familjes.