na ndiq ne

Rolls Royce Phantom

22/10/2017

Makina që ecën mbi qilim

Si mund të prezantosh një Rolls Royce Phantom? Kjo nuk është një pyetje e thjeshtë sepse Phantom nuk është një makinë çfarëdo, madje vetë fjala makinë për të mund të jetë pak kufizuese.

Le të fillojmë atëherë me disa karakteristika që ndoshta flasin më mirë për të sesa çdo cilësim tjetër. Modeli i ri i prodhuesit “të engjëllit” vjen në gjeneratën e tetë dhe i hap rrugën stilit të ri i cili do të pasohet edhe nga modelet e tjera të markës.

Bazohet në platformën e pagëzuar “arkitektura e luksit” (Architecture of Luxury) dhe është koncepti më i ri i BMW-së (pronarja e kompanisë angleze) që kërkon të ofrojë diçka unike dhe eksklusive, duke dhënë mundësinë e personalizimit të makinës që në bazën teknike të modelit.

Nga ana teknike, kjo strukturë është 30% më e ngurtë se ajo e modelit paraardhës, garanci kjo për më shumë komfort dhe siguri. Në këtë rast, përfitimet janë edhe në peshë, duke arritur edhe të kursehen shumë kile “të tepërta”.

Design-i i këtij versioni ruan patjetër ngjashmëritë me modelin paraardhës, përmasat dhe linjat klasike, por është perfeksionuar në çdo detaj. Karroceria e kësaj makine ka minimizuar çdo bashkim të dukahëm midis pjesëve dhe duket sikur është punuar në një fletë të vetme alumini duke i dhënë formë, më shumë në formën e një punimi artistik sesa mekanik.

Maskerino është më e madhe dhe më e lartë se e modelit paraardhës dhe fenerët, si dy sy felini të gjysmëmbyllur janë në trendin aktual ku fjalëkalimi është Laser.

Linjat klasike janë edhe më të theksuara në pjesën e pasme të realizuar në stilin automobilistik të viteve ’50 – ’60.

Rrotat e mëdha me disqe 22” i shtojnë karakter kësaj pamjeje klasike përveç stabilitetit të lartë në kthesa falë teknologjisë së re me timonin që komandon të katër rrotat.

“Magic Carpet ride” (ose ecje mbi tapetin magjik) është koncepti që Rolls Royce ka si objektiv për klientët e tij ndërsa Flagbearer është sistemi që analizon kushtet e asfaltit nëpërmjet dy kamerave në pjesën e përparme dhe përshtat përgjigjen e amortizatorëve.

Qetësia në bord të Phantom-it është në një nivel sipëror. 130 kg materiale izolimi akustik, dopio shasi alumini, xhama dopio dhe gomat “silent seal” të pajisura me një shkumë të posaçme brenda për të zvogëluar zhurmën janë të gjithë elementë që garantojnë 10% më pak zhurmë se modeli paraardhës.

Dyert “dyshe” të Phantom-it janë aksesi i një ambjenti të izoluar nga bota. Kruskoti, sediljet, timoni dhe çdo gjë janë të realizuara me materiale luksoze por me finesë. Teknologjia është e shumtë me sediljet e pasme që ofrojnë gradime ekstreme deri në shtrirje të plotë.

I gjithë ky sallon vihet në lëvizje nga 12 cilindrat në formë V të motorit të ri, i cili arrin në 6.750 kubikë me fuqi 571 kuaj. Karakteristika interesante e këtij motori, më shumë se fuqia jo e vogël padiskutim, është momenti rrotullues: 900Nm duke filluar nga 1.700 xhiro në minutë. Kjo do të thotë që fuqia e motorit të madh e të heshtur është e gatshme menjëherë, mjafton të shkelësh gazin. Pjesën tjetër të punës e bën kambio automatike me 8 marsha ZF.

Nëse doni të dini për të dhënat e konsumit, me siguri mund t’i gjeni tek libreza e makinës, por mos ia kërkoni ato shitësit sepse mund të mos jetë i informuar 😊 .