Rolls Royce Ghost, Akti II
Një kapitull i ri i luksit anglez
E ardhmja e “mjeteve me katër rrota” që ne ngasim çdo ditë është këto kohë ndoshta më e paqartë se kurrë, por disa gjëra duket se do të mbeten referencë e patundur. Një nga këto është edhe ikona e luksit automobilistik, Rolls Royce, i cili prezanton rinovimin në gjysëm të ciklit të jetës të modelit më të “vogël”, të quajtur Ghost (fantazmë, nga anglishtja).
Sa themi është jo vetëm në vazhdimësinë e traditës angleze me siguri apo kokëfortësi, por edhe nga fakti që “bisha” e re vihet në lëvizje nga njësia motorike V12 me dy turbo që gjeneron 571 kuaj fuqi, pa e vrarë mendjen për “modën” e re elektrike apo hibride. Si gjithmonë për Rolls Royce, ajo që ka rëndësi është ekskluziviteti dhe përmirësimi teknik.
Design i Rolls Royce Ghost nuk revolucionarizohet, por “freskohet” me disa detaje estetike. Maskerino është e rinovuar dhe si në modelin e mëparshëm e ndriçuar, fenerët janë me Led ditor dhe integrohen mirë me parakolpin e rinovuar ndërsa pjesa e pasme merr pak ngjashmëri nga “vëllai” elektrik Spectre.
Disqet janë me përmasa të bollshme 22” dhe ofrojnë mundësi të shumta personalizimi. Kurioz këtu është një version i rindërtuar sipas modelit Phantom II Continental i vitit 1929 i (bashkë) themeluesit Henry Royce.
Po nga ky model është marrë edhe një nuancë blu e veçantë e bojës së jashtme, e cila në atë kohë ishte boja e parë me efekt perlë, shumë e veshtire për t’u realizuar. Ndërsa klientët më kërkues kanë në dispozicion mbi 44.000 kombinime midis ngjyrave dhe reflekseve të ndryshme.
Gjëja e parë që vërejmë brenda është display i ri 100% dixhital ku grafikat mund të kombinohen me ngjyrat e kabinës. Si gjithmonë, çdo gjë tjeter është cilësi ekskluzive dhe me mundësi personalizimi nga reparti i veçantë “bespoke” i cili veshtirë t’i thotë “jo” kërkesave nga më të veçantat të klientelës.
Për pasagjerët që ulen mbrapa gjejmë ekranet LCD të cilët mund të lidhen me celularët e pasagjerëve për një përdorim në relaks total. Sediljet e pasme natyrisht ofrojnë funksionet e masazhit dhe komandat e klimatizatorit janë indipendente dhe mund të komandohet nga ekranët e mëdhenj me prekje.
I përmirësuar është edhe impianti audio, me 18 altoparlantë, me fuqi 1.400 Watt dhe një teknologji unike të montimit të altoparlantëve në trupin e makines, për të optimizuar izolimin akustik dhe performancën muzikore.
Motori më në fund është muzikë për puritanët: njësi benzine e pastër, me vëllim 6.750 kubikë në gjendje të zhvillojë 571 kuaj fuqi, moment rrotullues të bollshëm prej 850 Nm e gatshme që në regjimin 1.600 xhiro në minutë. Natyrisht modelet Rolls Royce janë makina për shofer, por modeli Ghost është ndoshta ai që më shumë se të gjitha ofron një eksperiencë guide disi më të “emocionale”.
Amortizatorët janë aktive dhe përdorin një sistem telekamerash dhe të dhënat e GPS për të lexuar rrugën dhe për t’iu përshtatur gropave apo parregullsive të ndryshme që mund të prishin rehatinë në bord.
Njësoj si në versionin e mëparshëm, Ghost II do të ofrojë dy versione të përshtatura për shije të ndryshme nga versioni bazë. Versioni “Ghost Extended Series II” është 170 mm më i gjatë (në pjesën e pasme), ku për pasagjerët mund të ofrohet opsioni Serenity Seating me sediljet që shtrihen. Ndërsa versioni Black Badge ose variant “sportiv” ofron pak më shumë fuqi në njësinë motorike (29 kuaj fuqi më shumë dhe 50Nm më shumë moment rrotullues). Ky version pasurohet edhe me disa veçori në shasi të cilat kombinohen me funsionin e gomave të pasme aktive (që rrotullohen nga krahu i kundërt i timonit) për t’i dhënë një karakter më sportiv këtij versioni.
Konsumi, edhe pse nuk është shqetësim për klientët e kësaj makine, duhet të jetë rreth 15litra/100km, por ende nuk e kemi provuar për ta “çertifikuar” 🙂



