na ndiq ne

Rolls-Royce Boat Tail

23/06/2021

Jay Z dhe Beyonce janë pronarët e makinës makina më të shtrenjtë në botë

Çifti amerikan i dy yjeve të muzikës (dhe biznesit) ia ka dalë mbanë të vihet në qendër të shtypit dhe web-it mbanë botës. Lajmi është ai i makinës më të shtrenjtë në botë dhe emri është ai i lavdisë angleze në sektorin e makinave të luksit, tashmë në pronësi të grupt gjerman bavarez BMW – Mini.

Quhet Rolls Royce Boat Tail (nga anglishtja bisht varke) dhe është zyrtarisht makina më e shtrenjtë në botë. Çmimi i përfolur (i pa konfirmuar, por i papërgënjeshtruar) është 22 milionë euro! Nuk kemi gabuar asgjë, janë plot njëzetedy milionë.

Boat Tail është rreth 6 metra e gjatë dhe është quajtur një “suitë mikpritëse” si ato të hoteleve më të shtrenjta. Për të ndërtuar këtë xhevahir, Rolls-it i janë dashur katër vjet dhe siç është traditë e markës angleze, makina është e ndërtuar me dorë.

Ngjyra e jashtme dhe të gjitha tonalitetet e mundshme janë pagëzuar Oceanic Blue, një bojë e veçantë për të cilën janë dashur rreth gjashtë muaj që të realizohej 100% sipas shijeve të klientëve. Për t’i dhënë aplikimin perfekt, në një gradë të caktuar, pak përpara se të thahej tërësisht, konturet e makinës (në linjën e profilit) janë lëmuar me mollëzat e gishtërinjve të artizanëve anglezë.

Në tërësi makina ka 1,813 pjesë të porositura ose më saktë të personalizuara enkas për kleintin. Sistemi audio ka 15 altoparlantë të studiuar në mënyrë të tillë që pjesa e poshtme e makinës të shërbejë si një “mur rezonance” për të krijuar një efekt pushtues të muzikës. Vetëm për të zhvilluar të gjithë sistemin e kabllimit, janë dashur rreth nëntë  muaj.

Bagazhi i Boat Tail hapet si krahët e një fluture dhe mundëson aksesin e një serie pajisesh për piknik. Mund të përmendim këtu një dopjo frigorifer për të ftohur shpejt shampanjën (e cila duhet të serviret në temperaturën 6°C) ndërsa nga frigoriferi në anën tjetër do të gjejmë një ndarje të veçantë që ruan në temperaturën ideale havjarin. Makina mundëson edhe një set pikniku i cili parashikon një çadër (që duhet të montohet manualisht) dhe dy karrige. Jo shumë nëse kujtojmë çmimin e makinës, sidomos nqs kujtojmë që një milioner kur shkon për piknik zakonisht shoqërohet nga një shpurë e tërë makinash dhe “asistentësh”, por kushedi, për çdo rast intimiteti, Rolls Royce e ofron.

Mbulesa e makinës në ecje imiton skemen e vendosjes se velave te anijes, një tjetër pasion i milionerëve ndërsa ora e dorës është Bovet, një markë e rrallë edhe kjo. Modeli konkret është projektuar dhe prodhuar për 3 vjet. Ka një mekanizëm të llojit “turbillon” (mekanizmi më i shtrenjtë i orave të dorës) dhe mund të vendoset në dorë ose në kruskotin e makinës, sipas nevojës ose dëshirës.

Motorizimi i kësaj makine, siç është edhe shasia, do të burojnë nga modeli Phantom. Njësia do të jetë ajo me 12 cilindra në formë V me vëllim 6.750 kubikë. Fuqia është 571 kuaj dhe momenti rrotullues 900Nm, të disponueshëm që në regjimin 1.700 xhiro në minutë. Me fjalë të tjera, fuqia është e gatshme menjëherë, mjafton të shkelësh gazin. Pjesën tjetër të punës e bën kambio automatike me 8 marsha ZF.

Nëse po mendonit të blinit një të tillë kemi një lajm të keq, kanë mbaruar. Rolls Royce do të prodhojë gjithësej tre modele të tillë dhe për dy të tjerët nuk dihet ende asgjë mbi pronarët. Ndoshta ata as nuk do të duan që të zbulohet dhe të përmendet emri i tyre.