Rinovohet Lincoln MKC
Kompania Lincoln ka prezantuar një restyling të modelit MKC, fillimisht i prodhuar në vitin 2014 dhe është pëlqyer më së shumti nga publiku femëror. Makina ka pësuar ndryshime vecanërisht në pjesën ballore, ku fenerët tani janë Led dhe maskerino merr trajta shumë të ngjashme me design-in e ri të markës e cila është shprehur më parë tek modelet Continental dhe MKZ.
Nga brenda estetikisht nuk ka asnjë ndryshim të dukshëm. Risi janë sediljet me ngrohje dhe infotainment (information + entertainment) Sync3 që tani garanton sinkronizim të plotë me smartphone-t nëpërmjet Apple CarPlay dhe Android Auto. Gjithashtu makina pajiset edhe me një hotspot wi-fi serie për të patur internet në makinë nëpërmjet një lidhjeje 3g/4g.
Komanda e kambios automatike është me buton, por çuditërisht në krahun e majtë.
Prodhuesit i kanë kushtuar shumë vëmendje finiturave dhe personalizimit të makinës. Per këtë qëllim makina më e mirë e gamës, versioni Black Label, propozohet në tre versione me këto tematika: Modern Heritage, veshjet janë lëkurë White Venetian dhe dru Argento; Indulgence, ofron finitura lëkure dhe Alcantara, në ngjyrat Truffle dhe Ganache me dru Ziricote dhe Center Stage, propozon qepje me diamant për sediljet në Alcantara dhe lëkurë Jet Black.
Ristilizimi është edhe një mënyrë për të ofruar sisteme të reja të asistencës në guidë. Në versionin e rinovuar propozohen sistemet: Pre-Collision Assist me dedektim të kalimtarëve, Active Park Assist (parkimi i asistuar), Lane Keeping Alert (sinjalizimi për të mbajtur makinën në korsi) dhe Blind Spot Information (sinjalizim nga pikat e verbëra) me Cross-Traffic Alert (në ecje mbrapsh sinjalizim i makinave që vijnë nga e majta ose nga e djathta.
Motorët mbeten të njëjtët me versionin e “vjetër” me skemën me katër cilindra EcoBoost në versionet 2.0 me 245 Kf dhe 2.3 me 285 Kf me kambio automatike dhe që mund të kombinohen edhe me katë rrota aktive.
Lincoln MKC është një SUV kompakt me përmasa diku midis Audit Q5 dhe Q3 apo BMW X3 dhe X1 e kështu me rradhë. Saktësisht MKC është 455 cm e gjatë, 186 e gjerë dhe 165 cm e lartë. Nga ana e peshës nuk është tamam pupël, por pesha e saj është pak a shumë në linjë me konkurencën në këtë segment. 1.734 kg nuk duket të jenë një problem i madh për motorizimin e ofruar duke qenë se sprinti nga 0 – 100 arrihet për 6.8 sekonda. Një aspekt që në Europë do të ishte problem është konsumi i këtij SUV-i: 13 l/100km duken vërtet shumë sidomos duke parë çmimet e karburantit në Shqipëri.
Lincoln MKC mund të zgjidhet në versione të ndryshme duke filluar nga 34,280 dollarë që me kursin aktual janë 28.700 eur, gjë që e bën këtë makinë konkurrente me çmim interesant kundrejt konkurrencës europiane, por largësia e madhe fizike dhe mungesa e një konçesionari zyrtar (bashkë me servisin) e bën këtë markë një zgjedhje shumë të vështirë për në Shqipëri.