na ndiq ne

Rikthehet Toyota Supra

09/08/2018

Toyota Supra është parë në vende të ndryshme gjatë fazave të kolaudimeve dhe testimeve dhe duket se së shpejti të gjithë do të kenë mundësi ta shohin live këtë model. Supra është një coupé sportive që Toyota ka prodhuar që në vitin 1978 për katër gjenerata me rradhë. Gjenerata e fundit është prodhuar deri në vitin 2002 për të lënë më tej një pauzë tepër të gjatë.
Sikurse është deklaruar edhe më herët nga Toyota, Supra e re do të ketë të njejtën platformë konstruktive të modelit premium BMW Z4 të gjeneratës së re. Në fakt Toyota dhe BMW kanë bashkëpunuar për të krijuar një gjeneratë të re të makinave sportive që ndajnë të njejtin sistem mekanik por me karroceri të ndryshme.

“Motra” gjermane pritet të debutojë si një roadster (cabrio) ndërsa modeli japonez do të propozohet fillimisht si coupé. Në kofanon e të dy modeleve gjenden të rreshtuar gjashtë cilindra me vëllim 3.000 kubikë, që mund të tejkalojnë 300 Kf fuqi, por nuk përjashtohet që në listën e shitjeve mund të gjenden edhe disa variante më pak performante me motorë me katër cilindra dhe benzinë turbo.


Toyota Supra do të debutojë si pasardhëse e Toyota Camry edhe në garat e kampionatit Nascar. Pasi njoftoi pjesmarrjen e modelit të ri ne festivalin Goodwood, Toyota deklaroi se Supra do të garojë në Nascar përgjatë vitit të ardhshëm duke zëvendësuar kështu versionin Camry që nuk do të prodhohet më pas 11 vitesh karrierë dinjitoze. Si dhe për modele të tjera që marrin pjesë në këtë garë, Supra e garave nuk do të ketë asgjë të përbashkët me modelin e serisë. Kjo sepse makinat që marrin pjesë në Nascar janë zhvilluar në telajo tubolare specifike dhe janë të pajisura me motorë V8 që arrijnë fuqi edhe më të mëdha se 850 kuaj.


Përsa i përket anës estetike modeli Supra që do të garojë në Nascar do të marrë disa detaje nga modeli concept që u prezantua në sallonin e Gjenevës.
Ende nuk ka asnjë detaj në lidhje me çmimin e modelit të ri, por së shpejti Toyota do të përgatisë lançimin përfundimtar të modelit dhe bashkë me të do të kemi edhe çmimet.