na ndiq ne

Rekord Opel: 13 milione makina të prodhuara

13/04/2018

Marka gjermane duket se është duke ecur me ritme të shpejta në planin e saj strategjik të zhvillimit, të titulluar “Pace” që do të thotë pikërisht “hap i shpejtë”.

Në këtë drejtim një dorë të mirë e luajnë edhe eksportet jashtë Europës ku Opel shënon rritje të qëndrueshme. Për t’i bërë ballë kërkesave të tregut, natyrisht sfida është njëkohësisht edhe e reparteve prodhuese.

Rekordi në fjalë është arritur nga reparti i prodhimit në Saragoza në Spanjë. Ky repart ka arritur të rrumbullakosë shifrën rekord prej 13 milionë makina të prodhuara gjatë 36 vitesh që reparti është aktiv. Nëse nuk është e qartë se cfarë do të thotë, kjo shifër zbërthehet në mbi 360.000 makina të prodhuara brenda një viti, me një mesatare mujore mbi 30.000 makina.

Makina nr. 13 milionë është një Opel Crossland X, dyngjyrëshe, blu dhe e bardhë e cila është porositur për tregun e Marokut.

Në të kaluarën ky stabiliment ka prodhuar shumë prej modeleve të famshme Opel si Corsa, Kadett, Astra, Tigra, Combo, etj. 

Ky impiant mbetet i një rëndësie të madhe për Opel që ka vendosur të prodhojë këtu edhe modelin e ri të Opel Corsa, duke filluar nga viti 2019 dhe të një versioni elektrik të SUV-it të suksesshëm Crossland X.