Range Rover Sentinel ose një Range i blinduar
Reparti SVO, ai që përpunon modelet e veçanta, kësaj rradhe ka prodhuar diçka vërtet speciale. Baza e modelit, nëse mund ta quajmë kështu, ka qenë një njësi 5.0 Supercharged, ajo që përdoret për versionin ekskluziv Autobiography, por kësaj rradhe me orientimin maksimal rreth sigurisë.
Rezultati? Një Range Rover performant që nuk e shpojnë as plumbat.
Versioni në fjalë quhet Sentinel dhe do të ndërtohet në qendrën teknike të Warwickshire, ku klientët do të gjejnë një shërbim maksimal edhe nga ana e personalizimit.
Pavarësisht peshës së madhe dhe të kuptueshme në këtë rast, performanca ruhet në nivele të mira. Motori është njësia me benzinë V8, 5.000 kubikë që zhvillon 380 kuaj fuqi. Megjithëse rreth 1.000kg më shumë se një Range normal, Sentinel arrin të përshpejtojë nga 0-100 për pak më shumë se 10 sekonda (10.4 saktësisht) dhe t’i afrohet shpejtësisë 200km/h.
Blindimi i makinave, është një e dhënë që tregohet me koefiçentë niveli, por në këtë rast, Land Rover nuk ofron të tilla detaje, ndoshta sepse duhet të jetë sekret, ose ndoshta sepse edhe këtu klientët mund të bëjnë përzgjedhjen e tyre.
Land Rover informon që ky RangeRover Sentinel është rishikuar në mënyrë integrale për të përballuar më mirë peshën e rritur të makinës.
Na u duken edhe kuriozë disa pajisje opsionale si sirena për të hapur rrugën, dritat e jashtme të emergjencës dhe hapja e kufizuar e dritares, vetëm 1.5cm, e mjaftueshme sa për të dorëzuar një zarf me dokumenta, si në një film spiunazhi 😊