na ndiq ne

Range Rover 2018

14/10/2017

Range Rover ishte edhe më parë një fuoristradë e bukur, e zhdërvjellët, pavarësisht dimensioneve të saj si dhe teknologjike dhe luksoze njëkohësisht. Por për të mbetur e tillë, disa risi ishin të nevojshme në gjysëm të ciklit të jetës edhe për të ecur edhe me hapin e zhvillimeve të reja me të cilat jemi njohur nëpërmjet “motrës së vogël” Velar.

Një dorë e lehtë nga jashtë ka prekur parakolpin dhe maskerinën së bashku me fenerët të cilët përveç design-it të pa parë më parë ofrojnë edhe teknologji Laser. Ofrohen katër versione speciale ku më i riu, Pixel Laser, funksionon me dioda laser dhe arrin të ndriçojë mbi 500m distancë.

Rinovime më të rëndësishme konstatohen në bord ku kryesori është teknologjia e re e ekranit të dytë 10” (i pari është ai i navigatorit satelitor) i cili zëvendëson një sërë komandash fizike së bashku me komandimin e funksioneve info dhe entertainment. Njësoj si tek modeli Velar, sistemi quhet Touch Pro Duo. Ka dy ekranë touch screen dhe impianti audio ofron fuqi që variojnë nga 300W – 1.700W. Numri i altoparlantëve është 13 për versionin “bazë”deri në 29 për versionin top.


I padiskutueshëm komoditeti në nivele maksimale me ngrohje jo vetëm tek sediljet por edhe tek mbështetëset, 25 programe masazhi dhe sediljet e pasme shtrihen deri në 40 gradë. Qetësia e plotë në bord garatohet nga xhamat me spesor 6mm.

2.8 litra/100 km është premtimi i variantit plug-in, versioni hibrid që mbështetet fuqinë e një motori 2.0 benzine me 300 kuaj fuqi së bashku me 115 kuaj fuqi të zhvilluar nga motori elektrik. Fuqia e të dy motorëve së bashku arrin të shtyjë këtë sallon me rrota nga 0-100km/h për 6.5 s me shpejtësi maksimale 220km/h. Kjo makinë mund të ecë deri në 50km vetëm me bateri, pra me 0 litra karburant. Kohët e karikimit të baterisë shkojnë nga 2h45min – 7h30min në varësi të sistemit të karikimit të disponueshëm. E qartë që në Shqipëri, i vemti rrjet karikimi është ai i tensionit 220V që kemi në shtëpi, pra koha e karikimit është ajo më e gjata, por edhe në mungesë të motorit elektrik, motori i benzinës ia del mjaft mirë “vetëm”.

Përveç versionit hibrid gjejmë një mori motorësh të disponueshëm me benzinë dhe naftë me fuqi që shkon nga 258 – 525 kuaj fuqi.

Tërheqja integrale tani mund të ndajë fuqinë në akse sipas nevojës duke çuar deri në 50% të fuqisë në një aks të vetëm.

Një vend të veçantë në gamën e re zë edhe versioni sportiv Range Rover SV Autobiography Dynamic, i cili tërhiqet nga motori V8, 5.000kubikë me fuqi 565 kf dhe 700 NM moment rrotullues. Vetëm 5.2 sekonda per të arritur nga 0 – 100km/h është një kohë e shkëlqyeshme nëse mendojmë që flasim për një makinë mbi 5metra dhe peshon mbi dy tonë.

Rritet numri i sensorëve ADAS  (Advanced Driver Assistance Systems)  së bashku me sistemet e asistencës në guidë, që i vijnë në ndihmë të shoferit: sinjalizues i ndërrimit të korsisë me frenim emergjence, sensorë parkimi, Cruise Control, sinjalizues i zonës së padukshme, etj janë vetëm disa nga sistemet e reja të guidës së asistuar që ofron Range Rover në këtë version të rinovuar të modelit të tyre simbol.